“Vij nga një ligë më modeste se e Rusisë, faleminderit shumë”, Mirlind Daku emocionohet pas largimit nga Rubin Kazani
Rubin Kazan i ka dhënë një lamtumirë emocionuese Mirlind Dakut, duke publikuar një video rreth 20-minutëshe me momentet më të veçanta të sulmuesit kosovar para, gjatë dhe pas ndeshjes së fundit me fanellën e klubit.
Në pamjet e publikuara shfaqen goli i Dakut, festimet me bashkëlojtarët, lotët në fund të ndeshjes, përqafimet dhe fjalimi prekës që ai mbajti në dhomat e zhveshjes përpara skuadrës dhe stafit teknik.
Ndeshja ndaj Akronit ishte e fundit e Dakut me Rubin Kazanin. Sulmuesi realizoi edhe një gol në fitoren e ekipit, duke e çuar në dy numrin e golave në dy javët e para të kampionatit rus.
Pas përfundimit të takimit, bashkëlojtarët e ngritën Dakun mbi supe, ndërsa ai nuk mundi t’i mbante lotët. Emocionet vazhduan edhe në dhomat e zhveshjes, ku 27-vjeçari falënderoi të gjithë për mbështetjen gjatë tri sezoneve të kaluara në klub.
“Faleminderit shumë për këto tri sezone që kemi kaluar së bashku. E di që vij nga një ligë më modeste se kjo e Rusisë dhe do të doja të falënderoja të gjithë futbollistët rusë që na bëjnë ne të huajve të ndihemi si në shtëpi këtu. Nuk di çfarë tjetër të them... Është e vështirë për mua, por është pjesë e jetës dhe është e rëndësishme të ruajmë gjithmonë marrëdhëniet që kemi. Faleminderit shumë”, tha Daku.
Sipas mediave ruse, kalimi i tij te Spartak Moska konsiderohet tashmë një marrëveshje e mbyllur, me klubin nga kryeqyteti rus që pritet të paguajë rreth 11 milionë euro për kartonin e sulmuesit.
Daku iu bashkua Rubin Kazanit në vitin 2023 dhe gjatë kësaj periudhe u shndërrua në yllin kryesor të skuadrës, duke realizuar 37 gola në kampionatin rus.
Trajneri i Rubin Kazanit, Frank Artiga, nuk i kurseu fjalët e mëdha për reprezentuesin e Shqipërisë.
“Nuk e di saktësisht se çka do të ndodhë nesër apo gjatë javës, por shenjat janë goxha të qarta. Dhe pavarësisht se çka ndodh, Daku, pos që është lojtar i madh, është person shumë i dashur në zhveshtore. Ai është lojtar që i jep skuadrës shpirtin e duhur. E ka dërguar Rubinin në një tjetër nivel. Çka do të ndodhë, i dëshirojmë fat”, deklaroi Artiga.
Edhe ish-trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, tregoi se kishte këmbëngulur personalisht për transferimin e Dakut në klub.
“Mora përgjegjësinë për transferimin e tij. Thanë se ishte i padobishëm, se askush nuk kishte nevojë për të. Në fund, e blenë për 1.2 milionë euro. Folëm me presidentin e klubit Marat Safiullin dhe më në fund arrita ta bindja. Premtova se mund ta shisnim për 4-5 milionë euro. I jam mirënjohës presidentit që na ndihmoi dhe morëm vendimin e duhur”.
Ai beson se Daku do të ketë sukses edhe te Spartaku.
“Mendoj se ai mund të luajë për Spartakun. Është çështje se si trajtohet. Është e rëndësishme që trajneri të kuptojë se ai nuk është lojtar për bankën rezervë. Ai duhet të luajë që nga minuta e parë dhe të gjejë ritmin. Një lojtar me atributet e tij fizike dhe aftësitë me topin do të jetë një aset për çdo ekip”, shtoi Rakhimov./Telegrafi/


