Please enter at least 3 characters.

Vetëdija për lirim nga frika

Të vetëdijshëm bëhemi vetëm atëherë kur gjendemi në situatë të vështirë - kur stabiliteti dhe mirëqenia na rrezikohet. Pra, kur jemi të pa pushtetshëm vetëdijesohemi dhe kërkojmë marrjen e serishme. Për këtë shkak, njerëzit vuajnë për pushtet dhe sapo të arrijnë atë, ata gjejnë rehatin dhe bëhen të pavetëdijshëm. Pushtetarët politikë janë të pavetëdijshëm kur ndihen se janë prijës të pushtetit si interes dhe nevojë personale, dhe jo si obligim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Pushteti bazuar në interes dhe nevojë personale është burimi i shumë të këqijave të një shoqërie – pra pikë së pari të mungesës së zhvillimit dhe përparimit shoqëror.

Pushtetari i vetëdijshëm kupton në esencë rolin dhe detyrën që ka në udhëheqjen e shoqërisë bazuar në vlera demokratike dhe respektim e lejim të lirisë dhe të drejtave të njeriut që janë parakushte për përmbushjen e nevojave dhe interesave të tërë shoqërisë. Ndërsa, pushtetari i pavetëdijshëm synon mbajtjen e shoqërisë në kushte të pavetëdijshme. Sa më e pavetëdijshme që të jetë shoqëria, aq më e gjerë do të jetë vetëdija e pushtetarëve për të marrë, keqpërdor dhe shfrytëzuar të mirën dhe pasurin jomeritore, si veprime që shkatërrojnë drejtësinë dhe prosperitetin e përbashkët. Në një shoqëri që ka qenë e shtypur dhe pa pushtet, prijësit e saj çlirimtarë (nuk) e kanë bërë këtë për të marrë pushtetin. Nëse ata prijës çlirimtar që këtë pushtet e shohin si interes dhe nevojë personale, ata në asnjë mënyrë nuk e kanë çliruar atë shoqëri por e kanë robëruar përbrenda (pa) vetëdijshëm.

Në Kosovë është evidente që ka korrupsion dhe është vërtetuar që ka edhe prijës çlirimtar që janë përfshirë në gjymtim të së mirës së përbashkët. Në parim, legjitimiteti si rezultat i çlirimit të Kosovës, apo legjitimiteti i më vonshëm i marrë nga vota e lirë të qytetarëve nuk guxohet të keqpërdoret nga pushtetarët si e drejtë e tyre për keqpërdorim. Është dëshmuar shumë herë që pushtetarit qëllimkeq nuk i konvenon drejtësia. Ndërsa sa i përket ligjit, këtë lehtë e menaxhojnë, ngase vetë e formulojnë, kontrollojnë dhe në fund vetë gjykojnë.

Në Kosovë nuk ka gjykatës të drejtësisë, por dirigjues të ligjeve të (pa) drejta. Pra, nëse mendojmë se jetojnë në një shoqëri ku sundon ligji, lehtë mund të gabojmë. Ligji duhet të jetë në shërbim të drejtësisë e jo vetë normave të kodifikuara nga pushtetarët për interesa dhe nevoja të tyre personale.
Të kthehemi në tokë! Çfarë e shtynë sot punëtorin të mos reagoj kur ti shkelen drejtat nga punëdhënësi publik apo privat? Çfarë e ndalon një kosovar sot të mbrojë të drejtën e tij kushtetuese për mirëqenie sociale dhe jetë dinjitoze? Çfarë e shtynë një nëpunës të heshtë para keqpërdorimeve dhe shkeljeve të ligjit në administratë publike? Përgjigjja gjendet tek mungesa e guximit për të vepruar e cila shkaktohet nga frika.

Kjo frikë nuk i ka rrënjët tek tradita dhe kultura popullore shqiptare, por rrënjët i ka tek sundimi i vazhdueshëm i të huajve të cilët kanë përdorur të gjitha format e mundshme për të prodhuar frikë. Sot, edhe pse mendojmë që jetojmë në rrethana të reja, frika na ka mbetur virtyt i vjetër të cilën janë duke e kultivuar edhe më tutje pushtetarët e sotëm. Por në fund, kur të mbushet kupa, padrejtësia shtynë njerëzit të vetëdijesohen dhe marrin rrugët (jo) ligjore për t’i arritur të drejtat dhe lirit e tyre të dhuruar jo nga ligjet që burojnë nga kushtetuta por nga vetë interesi dhe nevoja e secilit individë si dhe nga natyra dhe organizimi kolektiv i shoqërisë. Çështje e diskutueshme është se deri në çfarë mase duhet të shkojë padrejtësia për të vetëdijesuar njeriun.

Çka e ndalon një qytetar që të mbrojë të drejtën e vetë? Thënë më konkretisht, pse Kosovarët ankohen për çdo ditë dhe asnjë ditë nuk raportojnë padrejtësisë që ju bëhen atyre dhe të tjerëve. Problemi thelbësor qëndron prapë tek frika. Pushteti përmes aparatit të dhunës, propagandës dhe kontrollit kulturor ka shpikur frikën dhe ka instaluar heshtjen tek qytetarët. Njerëzit nuk luftojnë korrupsion dhe padrejtësisë tjera sociale të pushtetit nga frika që do të dëmtohet edhe më shumë situaten dhe gjendja personale, familjare dhe kolektive do të përkeqësohet. Në fakt duke heshtur vetëm sa thellojmë pavetëdijen tonë.
Në anën tjetër, guximi politik dhe aktivizmi qytetar ka dëshmuar që frika nuk është shtresa më e fuqishëm në vetëdijen e njeriut. Kur lirohemi nga frika atëherë gjykojnë dhe veprojmë vetëdijshëm. Mobilizimi shoqëror vetëdijëson pushtetarin e pavetëdijshëm. Vetëm atëherë kur njerëzit vetëdijshëm marrin pronësinë e fatit të tyre duke mos u frikuar arrihet një vetëdijesim i pushtetarit se vetëm të punuarit në të mirë të përbashkët është zgjedhje dhe arritje e lirisë.

Në Kosovë, vetëm disa njerëz të rrallë marrin guximn për të refuzuar padrejtësitë dhe shpesh drejtësia i burgosë përkohësisht. Si do që të jetë, frika dhe guximi, te dyjat të burgosin. Frika të burgosë kurajën dhe guximin për të ngritë zërin për padrejtësi dhe mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ndërsa, guximi politik dëmton padrejtësinë dhe kështu rrezikon pushtetarin e padrejtë i cili hakmerret dhe të vëjnë në burg apo forma më komplekse të mbylljes. Burgosja e parë rezulton me çlirim dhe kjo është arsye se pse pushtetarët qëllimkeq nuk kanë jetë të gjatë ngase qytetarët ndërrojnë atë. Ndërsa, burgosja e dytë është mbyllje e përkohshme dhe e padëshirueshme që tejkalohet me sakrificë dhe përkrahje të gjerë të qytetarëve dhe që veq sa e rritë më shumë guximin dhe kurajon për rezistencë. Në fund, pushteti i të pafuqishmëve triumfon.

Lirimi nga frika arrihet vetëm atëherë kur vetëdijesohemi për nevojën dhe fuqin e lirisë dhe kështu përfundimisht mundëson që njerëzimi të çlirohet, përparoj dhe gëzojë jetë dinjitoze dhe paqësore. Me të drejtë, Aung San Suu Kui mendon se vizion i njeriut është të jetojë në një botë të përshtatshme për njerëzim racional dhe të civilizuar që qon atë deri tek të guxuarit dhe vuajtja për ndërtim të një shoqërie të lirë nga lakmia dhe frika. Tejkalimi i vetëdijshëm i frikës dhe veprimi në mbrojte të lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive është trimëri dhe virtyt shembullor i të sotmes dhe nesërmes së demokracisë.