Please enter at least 3 characters.

Vdekja e papritur e dëshmitarit kryesor të “Sarajevo Safari” - kërkohet autopsi e trupit, dyshohet se u helmua nga BIA e Serbisë

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq i ka dërguar një letër urgjente Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, më saktë Departamentit për Krime Lufte, ku shpreh dyshime serioze mbi rrethanat e vdekjes së papritur të serbit Slavko Aleksiq, ish-komandant i një njësie paraushtarake të lidhur me “Sarajevo Safari” gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria e BeH-së që menjëherë të lëshojë një urdhër që ndalon kremimin ose çdo ndërhyrje mbi trupin e Slavko Aleksiqit, si dhe varrimin e tij.

Ai kërkoi që të lëshohet një urdhër që punonjësit e SIPA-s të transferojnë trupin e Aleksiqit në KCUS për të kryer një autopsi të detajuar dhe specialistike.

Kjo do të përcaktonte veçanërisht nëse ekzistojnë shenja dhune, substanca të dyshimta në organizëm, helmime, ndërhyrje apo diçka e ngjashme, pra të vlerësohen rrethanat e dyshimta të vdekjes.

“Veçanërisht është e nevojshme që trupi të analizohet dhe kontrollohet për substanca të ndjeshme dhe helme që zakonisht përdoren nga shërbimet sekrete ruse, të cilat bashkëpunojnë me BIA-n në Beograd, dhe për llojet e helmeve dhe substancave lehtë mund të informoheni në publikimet e disponueshme për raste të ngjashme që kanë ndodhur më parë në Rusi, Mbretërinë e Bashkuar ose diku tjetër në botë”, theksoi ai.

Duhet kujtuar se Margetiq ka ngritur padi kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Milano, duke pretenduar se ai kishte qenë pjesë e grupit të vrasjes së civilëve për qejfi në kryeqytetin boshnjak.

Në Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, çështja që lidhet me pretendimet për “Sarajevo Safari”, fenomeni i tmerrshëm sipas të cilit turistët e pasur të huaj supozohet se paguanin për të qëlluar mbi civilët në Sarajevën e rrethuar gjatë luftës 1992-1996, është hapur që në vitin 2022, bazuar në denoncimin e atëhershëm të kryetares së qytetit, Benjamina Kariq. /Telegrafi/