Please enter at least 3 characters.

Vazhdimësi e vizionit mbi lirinë

Në Evropën e sotme moderne edhe po ta marrim në konsideratë kontinentin në tërësi, vështirë dhe shumë rrallë mund të gjenden lëvizje politike e mbi të gjitha kombëtare që ditën të ndryshojnë historinë dhe drejtimet e saj ashtu siç bëri Lidhja Demokratike e Kosovës. Një lëvizje anti-komuniste demokratike që gjeti burimin tek elita intelektuale e një kombi të vuajtur dhe të cilës forcën ia dha pikërisht ky komb u bë sinonim i lirisë, u bë një mit i frymëzimit, një vizion udhërrëfyes i të gjithë qytetarëve.

Nëse rrëzimi i murit të Berlinit i dha imperisë komuniste sinjalet se i erdhi fundi sundimit totalitar, ishte kjo lëvizje politike që me vet formimin e saj përfundimisht do të shënoj fillimin e një epoke të re dhe fundin e pashmangshëm të diktatit komunist që po dirigjonte jetën e qytetarit jo vetëm në Kosovë. Ndonëse në rrethana specifike për Kosovën dhe përmasa demografike ndjeshëm më të vogla, LDK dhe presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, sot janë pjesë e një kapitulli së bashku me DaLai Lamën e Tibetit dhe urtësinë e tij, Nelson Mandelën dhe sakrificën e një intelektuali për liri dhe një jetë më të mirë, apo Leh Valencën dhe aftësitë mobilizuese.

Si dhe në të kaluarën shqiptare të momenteve më të vështira kur Lidhja e Lezhës bashkoi shqiptarët apo kur Lidhja e Prizrenit i dha vulën rilindjes dhe ndërgjegjes kombëtare, ngjashëm në kohëra moderne dhe delikate u mishëruan konceptet e shëndosha të vlerave shqiptare dhe perëndimore pa përjashtuar traditën dhe urtësinë e këtyre trevave, vlera këto pjesë të pandashme e mentalitetit politik dhe kulturor që është kultivuar me gjithë sinqeritetin dhe përkushtimin. Ky mentalitet ka ditur të sfidonte diktaturën e dyfishtë të frymëzuar nga lindja, komunizmin dhe serbo-sllavinë duke ngritur institucione shtetërore me forcën e tyre të pakontestueshme dhe hovin e pandalshëm.

Kjo e kaluar përmasash mitike dhe e shndritshme në gjithë rolin e saj na tregon edhe sot forcën që mund të ringjallet, gjithmonë duke u mbështetur në mishërimin e vlerave të përmendura dhe zotim në këtë vazhdimësi me vendosmërinë e krijuar nga fakti që rrugë tjetër nuk ka përveç në forcimin e mëtejmë të këtyre vlerave dhe shpalosjen e plotë të kuptimit të trinomit Liri – Demokraci – Pavarësi.

Zotimi i bërë më herët për një vend në familjen euro-atlantike është rrugë e trasuar nga e cila nuk ka kthim. Ajo do të përshpejtohet me proceset reformuese që po zhvillohen dhe të cilat duke ndikuar në vetë proceset politike të Kosovës konfirmojnë mesazhin e dhënë për një Kosovë demokratike. Është një përkushtim i garantuar dhe i gatshëm të përballojë sfidat qofshin ato politike, ekonomike apo sociale.

Si një bartëse e koncepteve për realizimin e të cilave edhe u krijua, tani do ti freskojë akoma më shumë duke pas parasysh rrethanat dhe zhvillimet më të reja. Përafrimi me qytetarë edhe një herë mund të vërtetojë synimet demokratike e liridashëse duke e bërë më të qartë vizionin dhe shpresën mbi një të ardhme të ndritshme të shtetit tonë.