Van Dijk kritikon pushimet e detyrueshme për hidratim në Botëror: Nuk janë të mira për shikuesit
Kapiteni i Holandës Virgil van Dijk është bërë një nga zërat më të fundit që ka kritikuar rregullin e ri të FIFA-s për pushimet e detyrueshme të hidratimit gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës 2026.
Sipas rregullores së aplikuar para fillimit të turneut, çdo pjesë e lojës përfshin një ndërprerje të detyrueshme prej tre minutash për hidratim. Ky sistem ishte përdorur më parë vetëm në ndeshje që zhvilloheshin në temperatura të larta, por tashmë po aplikohet në të gjitha takimet.
Kjo ka nxitur debate të shumta, pasi transmetuesit televizivë kanë leje të transmetojnë reklama gjatë këtyre ndërprerjeve, duke shtuar dyshimet se futbolli po afrohet gjithnjë e më shumë me modelin e sporteve amerikane si NFL dhe NBA, ku ndeshjet ndahen në periudha të shumta për arsye komerciale.
Van Dijk shënoi në barazimin 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në Dallas, një ndeshje ku pushimet e hidratimit u aplikuan në të dy pjesët, pavarësisht faktit se stadiumi AT&T kishte çatinë të mbyllur dhe temperatura kontrollohej artificialisht.
Pas ndeshjes, qendërmbrojtësi i Liverpoolit nuk e fshehu pakënaqësinë e tij.
“Mendoj se pushimet për hidratim janë shumë interesante”.
“Kam parë pothuajse të gjitha ndeshjet deri më sot. Mendoj se fakti që çdo herë kalon në reklama është diçka që nuk më pëlqen. Besoj se edhe për shikuesit neutralë para televizorit nuk është gjë e mirë”.
“Nëse është vërtet shumë nxehtë, atëherë sigurisht që ka kuptim të vendosen këto pushime. Por mendoj se duhet të vlerësohet çdo ndeshje veçmas”.
“Mendoj se kam thënë mjaftueshëm për këtë temë", deklaroi holandezi me një buzëqeshje”.
Komentet e Van Dijk i shtohen kritikave në rritje ndaj formatit të ri të FIFA-s, me shumë tifozë dhe analistë që besojnë se ndërprerjet e shpeshta po ndikojnë negativisht në ritmin e lojës dhe përvojën e shikimit të ndeshjeve./Telegrafi/


