Please enter at least 3 characters.

Valë e re COVIDI në Kinë, 79 mijë raste vetëm në korrik, autoritetet: Nuk ka arsye për alarm

Kina po përballet me një valë të pazakontë verore të Covid-19, me 79 mijë raste të regjistruara gjatë muajit korrik, sipas Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Nga këto, 130 pacientë janë në gjendje të rëndë.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka arsye për alarm.

Sipas tyre, shumica e të infektuarve kanë simptoma të lehta dhe niveli i përhapjes mbetet dukshëm më i ulët se ai i vitit të kaluar.

Varianti dominues në Kinë vazhdon të jetë Omicron NB.1.8.1, i cili sipas CDC-së ka arritur një nivel të moderuar transmetimi.

Autoritetet kineze u rekomandojnë të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike të marrin masa parandaluese, si përdorimi i maskës në ambiente publike dhe spitale, si edhe vaksinimi për grupet më të rrezikuara.

Ekspertët besojnë se temperaturat e larta po i shtyjnë njerëzit të qëndrojnë më gjatë në ambiente me ajër të kondicionuar, duke krijuar kushte të ngjashme me ato të dimrit për përhapjen e virusit.

Megjithatë, specialistët theksojnë se nuk është vërejtur rritje e rasteve të rënda apo e vdekjeve.

Shumica e pacientëve shfaqin temperaturë dhe dhimbje fyti, ndërsa shërohen brenda pesë deri në shtatë ditësh.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar variantin NB.1.8.1 si një “variant nën monitorim”. Sipas vlerësimit të saj, ai përhapet më lehtë, por nuk ka prova që shkakton sëmundje më të rëndë se variantet e tjera që qarkullojnë. /Telegrafi/