Vajzën me disleksi dhe ADHD e quanin “budallaqe” para se të bëhej Miss Universe: Historia e saj të lë pa fjalë
E ardhmja e mbretëreshës së bukurisë, e cila si fëmijë u përball me disleksi, ADHD dhe hiperaktivitet, e që më vonë u poshtërua publikisht dhe u përjashtua nga një ngjarje përgatitore pak para finales, sot mban kurorën e Miss Universe 2025
Nëse ekziston një histori që e përshkruan në mënyrë perfekte fuqinë e këmbënguljes, guximit dhe karakterit mbi paragjykimet, atëherë është pikërisht historia e Fatima Bosch Fernández, 25-vjeçares meksikane, rruga e së cilës drejt kurorës ishte gjithçka, veçse e lehtë.
Fëmijëria e vështirë: Disleksia, ADHD dhe paragjykimet
E lindur më 19 maj 2000 në Villahermosa, në shtetin Tabasco të Meksikës, Fatima u rrit mes natyrës, kafshëve dhe traditës familjare. Por që në moshën 6-vjeçare ajo u përball me tri diagnoza sfiduese: disleksi, ADHD dhe hiperaktivitet të theksuar.
Shkolla ishte pengesë, por edhe nxitje. Ndërsa fëmijët e tjerë mësonin me lehtësi, ajo duhej të punonte dy herë më shumë. Pikërisht atëherë u formësua edhe motoja e saj: “Vështirësitë janë fillimi im, jo fundi im.”
Përvoja në SHBA - pikë kthese
Në moshën 16-vjeçare ajo shkon për shkollim në Vermont, ku kalon një vit larg familjes, në një kulturë të panjohur dhe sistem krejt tjetër arsimor.
Kjo përvojë i hapi horizontet, e ndihmoi të përvetësonte anglishten dhe i rriti ndjeshëm vetëbesimin. Ishte momenti kur kuptoi se “ndryshimi” i saj ishte avantazh, jo pengesë, transmeton Telegrafi.
Suksesi i parë: “Flor Tabasco” në moshën 17-vjeçare
Pas rikthimit në Meksikë, ajo fiton titullin Flor Tabasco, duke hyrë në botën e modës dhe eventeve publike.
Më pas regjistrohet në dizajn mode dhe tekstili në Universidad Iberoamericana në Mexico City dhe vazhdon studimet në akademinë prestigjioze NABA në Milano.
Aty lindi dashuria e saj për modën e qëndrueshme, duke krijuar veshje nga materiale të ricikluara që bashkojnë artin dhe ekologjinë.
Puna humanitare - mision që zgjat që nga fëmijëria
Që në moshën 8-vjeçare, Fatima merr pjesë në aktivitete humanitare. Për 9 vite ajo ka qenë vullnetare në Onkologjinë e Tabaskos, duke ndihmuar fëmijët me kancer dhe familjet e tyre gjatë festave të fundvitit.
Ajo ka nisur edhe projekte si Ruta Monarca dhe Corazón Migrante, që promovojnë ekologjinë, shëndetin mendor dhe solidaritetin me migrantët.
Viti i madh - 2025
Në vitin 2025, Fatima shpallet Miss Universe Meksika, duke u bërë gruaja e parë nga Tabasco që mban këtë titull.
Motoja e saj: “Bukuria e vërtetë është shërbimi ndaj të tjerëve.”
Autenticiteti, përkushtimi dhe personaliteti i saj i butë por i fortë fituan zemrat e publikut.
Skandali që tronditi botën: “Je budallaqe”
Gjatë një takimi përgatitor në Tajlandë, para finales së madhe, ndodhi incidenti që tronditi botën e konkursit të bukurisë.
Drejtori i Miss Universe Thailand, Navat Itsaragrisi, e akuzoi publikisht për mosbindje dhe kërkoi që sigurimi ta largonte nga eventi. Para kamerave dhe pjesëmarrëseve, ai e quajti “budallaqe”.
Reagimet ishin të fuqishme: rrjetet sociale shpërthyen në mbrojtje të saj, miliona njerëz kritikuan organizatën, dhe shumë kërkuan dorëheqjen e Navatit. Videoja u bë virale.
Por Fatima qëndroi e qetë, dinjitoze dhe profesionale dhe kjo ia fitoi admirimin e jurisë.
Fatima në jetën private: Vajzë e qetë me zemër të madhe
Larg reflektorëve, Fatima është e thjeshtë, emocionale dhe shumë familjare. Ajo adhuron natyrën, kafshët dhe projektet kreative. Çdo njeriu i afrohet me ngrohtësi dhe sinqeritet. Është pikërisht kjo autenticitet që e dallon.
Pse pikërisht ajo fitoi zemrat e botës?
Sepse përfaqëson një gjeneratë të re të bukurisë, atë që tejkalon diagnoza, shemb paragjykime, ruan dinjitet edhe në skandale, bashkon artin, empatinë dhe guximin dhe frymëzon miliona njerëz.
Fatima Bosch Fernández është bërë simboli i asaj se çfarë do të thotë të jesh mbretëreshë moderne. /Telegrafi/


