Universiteti i Prizrenit pjesë e projektit të financuar nga Komisioni Evropian për inovacion në arsimin e lartë
Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” është bërë pjesë e konsorciumit fitues të projektit KOSMIC – Kosovo Micro-Credentials for Higher Education Innovation in ICT, i cili financohet nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+ Capacity Building in Higher Education (CBHE).
Sipas njoftimit të këtij institucioni akademik, projekti synon të kontribuojë në modernizimin e arsimit të lartë në Kosovë përmes zhvillimit të ekosistemit të parë kombëtar të mikrokredencialeve në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT).
Përmes këtij projekti pritet të krijohen mundësi të reja për zhvillimin e programeve fleksibile të të nxënit, të përshtatura me kërkesat e tregut të punës dhe me nevojat e sektorit të teknologjisë.
Pjesëmarrja në konsorciumin ndërkombëtar të projektit KOSMIC përbën një hap të rëndësishëm për Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” në drejtim të avancimit të kapaciteteve akademike, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të inovacionit në arsimin e lartë.
Projekti është pjesë e përpjekjeve për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, duke i afruar ato me standardet dhe praktikat evropiane. /Telegrafi/


