U paraqitën si punëtorë bankash, tre të arrestuar në Prishtinë për krim të organizuar
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet F.M., V.M. dhe A.D. janë duke u hetuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Hyrja në sistemet kompjuterike”, sipas nenit 327, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet, të cilat po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë edhe elemente ndërkombëtare.
"Sipas dyshimeve, të pandehurit që nga viti 2021 e tutje, në bashkëkryerje me persona të tjerë, janë paraqitur rrejshëm si punëtorë bankash", thuhet në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se dyshimet përfshijnë vepra penale të mashtrimit, prezantimit të rremë, vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve, si dhe shpëlarjes së parave, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë telefona mobilë, laptopë dhe para të gatshme në vlerë prej 11 mijë e 756 euro.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/


