Please enter at least 3 characters.

T’u besojmë institucioneve shtetërore

- Ta ndihmojmë e ta bëjmë të fortë shtetin e Kosovës -

Kudo në botë – aq sa e ndihmojnë dhe i shërbejnë banorët, një shtet është i sigurt dhe i fuqishëm. E njëjta gjë është dhe do të jetë edhe te ne. Prandaj, të gjithë bashkë të angazhohemi maksimalisht në besimin e forcimin e institucioneve tona shtetërore. Le të vlejë kjo për të gjithë shqiptarët – në Shqipëri dhe në Kosovë, por sidomos të angazhohemi për besueshmëri ndaj institucioneve ton shtetërore në Prishtinë, sepse atje kemi një shtet të ri, ende të panjohur tërësisht nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Janë shumë normale kritikat e opozitës, por vetëm kur ato janë të arsyeshme dhe të argumentuara. Le t’u ikim e të mos i dëgjojmë disa kritika të zhveshura nga argumentet dhe janë përvëluese deri në përmasa familjare, siç ishin ato kundër ministrit të telekomunikacionit në Qeverinë e Republikës së Kosovës – Fatmir Limaj. Le t’i lëmë të vetmuara dhe të zhveshura kritikat që vijnë nga massmediat serbosllave, sepse ata nuk dinë tjetër, pos gënjeshtrave dhe shpifjeve, sidomos kundër kombit tonë dhe vlerave tona të traditës kombëtare.

Kritikat kundër institucioneve tona shtetërore, sidomos kundër Qeverisë dhe Presidencës së Republikës së Kosovës, në muajt e fundit janë dëgjuar ndër më të ndryshmet e madje edhe të tilla që nuk kanë asnjë argument për t’u dëshmuar. Edhe kritikat për “zvarritjen e zgjedhjeve”, kundër Qeverisë e Presidencës, tashmë mund të themi se nuk pinë ujë, sepse Presidenti Fatmir Sejdiu, në afat rekord e emëroi kryetaren e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve dhe i shpalli menjëherë konsultimet me të gjitha partitë e interesuara, për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale-administrative, diku në vjeshtën e ardhshme.

Gjithçka në këtë drejtim po shkon me normat demokratike – njëherë konsultimet veç e veç me përfaqësuesit e partive politike dhe në fund takimi i përbashkët, për caktimin e zgjedhjeve të reja lokale-administrative, pas dy viteve – siç thuhej atëherë që mandati i kryetarit dhe i kuvendeve komunale do të jetë me mandat dyvjeçar. Disa kritikues kanë shkuar aq larg, sa që kanë kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ta ngritur pastaj njëfarë qeverie ekspertësh, duke harruar se kjo është qeveria e dy partive politike që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e fundit – qeveria më demokratike që ka funksionuar ndonjëherë në Prishtinë.

Le t’i lëmë t’i kryejnë detyrat e veta institucionet tona shtetërore e le t’u besojmë atyre plotësisht, sepse drejtohen nga njerëzit e partive politike që kanë marrë më së shumti vota nga populli. Le t’u ndihmojmë institucioneve tona shtetërore duke paguar me rregull të gjitha faturat e shpenzimeve tona (rrymën, ujin, telefonin), si dhe taksat, sepse nga këto kontribute tonat jetojnë institucionet dhe investojnë në projektet shoqërore, si dhe mbajnë arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe veprimtaritë tjera joprodhuese të shoqërisë.

Nëse ju besojmë dhe i ndihmojmë, atëherë mund të themi se kemi institucione stabile shtetërore dhe të forta dhe mund t’u kërkojmë atyre që të investojnë aty ku e lypë nevoja. E kemi një shtet të ri, të sapo dalë nga rrebeshet shkatërruese të pushtuesve serbosllavë, kështu që ka nevojë për besimin e për ndihmën tonë.

Le të jemi besimtarë e kontribuues të denjë të institucioneve tona shtetërore, që të kemi të drejtën e plotë dhe ballin e hapur t’u kërkojmë atyre që të intervenojnë edhe financiarisht aty ku e lypë nevoja dhe kurdoherë që kemi nevojë për ndihmën e institucioneve tona. Le të tregojmë edhe para botës se e kemi merituar dhe se dimë ta mbajmë të fortë shtetin tonë. Gëzuar dhe të mbara Republika e Kosovës!