Please enter at least 3 characters.

Trump nxit diskutime për “rendin e ri botëror” - udhëheqësit tjerë japin sinjale për ndryshim të aleancave globale

Presidenti amerikan, Donald Trump ka intensifikuar shqetësimet globale për një ndryshim të mundshëm të rendit ndërkombëtar, pas deklaratave dhe veprimeve në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, Zvicër.

Ai kritikoi disa udhëheqës botërorë, kërcënoi me tarifa Zvicrën dhe më vonë i hoqi ftesën kryeministrit kanadez, Mark Carney për t’u bashkuar me iniciativën e quajtur “Bordi i Paqes”.

Strukturë kjo që fillimisht synonte të mbështeste armëpushimin në luftën Izrael–Hamas, por kritikët e shohin si rival të mundshëm të Kombeve të Bashkuara, shkruan ap.

Trump gjithashtu ushtroi presion ndaj Danimarkës lidhur me ambiciet e SHBA-së për Grenlandën, duke vënë në rrezik unitetin brenda NATO-s.

Qasja e tij jashtëzakonisht e personalizuar në politikën e jashtme - duke theksuar besnikërinë dhe adhurimin - ka ngritur shqetësime te aleatët e SHBA-së.

Senatorja republikane Lisa Murkowski theksoi se partnerët ndërkombëtarë ndihen të hutuar, ndërsa udhëheqës të tjerë, si Carney dhe kryeministri britanik Keir Starmer, kritikuan paplanifikueshmërinë dhe mungesën e respektit ndaj aleancave.

Veprimet njëanshme të Trumpit kanë nxitur frikë për dëm të besueshmërisë së SHBA-së dhe po nxisin vendet të forcojnë aleancat alternative, veçanërisht me Kinën.

Përkundër rezistencës së jashtme, Trump nuk tregon shenja tërheqjeje, duke ngritur alarme për të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe stabilitetit të një rendi botëror të bazuar në rregulla. /Telegrafi/