Tri ndeshje, tri fitore – Real Madrid shkon me bilanc perfekt në pauzën e kombëtareve
Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Mallorcas në kuadër të javës së tretë në La Liga.
Kylian Mbappe realizoi për 1-0 në minutën e shtatë, por goli iu anulua për pozicion të parregullt.
Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët që realizuan përmes Vedat Muriqit për 1-0 në minutën e 18-të.
Nuk vonoi shumë reagimi i Real Madridit, të cilët barazuan në minutën e 37-të për 1-1 me Arda Guler i cili realizoi me kokë.
Vetëm një minutë më vonë Vinicius Junior realizoi një gol të bukur për 2-1 pas një kundërsulmi të shpejtë nga ‘Los Blancos’.
Mbappe ishte sërish në qendër të vëmendjes, kur pak çaste para përfundimit të pjesës së parë realizoi sërish këtë herë për 3-1, por goli edhe kësaj radhe u anulua për pozitë jashtë loje.
Se Real Madridi nuk kishte shumë fat në këtë ndeshje u dëshmua në minutën e 55-të kur edhe Gulerit iu anulua një gol për prekje të topit me dorë.
Në minutën e 66-të Mallorca pati mundësinë ideale për të barazuar shifrat por Alvaro Carreras ishte shpëtimtari i Real Madridit duke e larguar topin nga vija fatale.
Kjo ishte fitorja e tretë për Real Madridin në po aq ndeshje, teksa pas pauzës me kombëtare ata do të luajnë në udhëtim ndaj Real Sociedadit./Telegrafi/


