Trepça nuk e liron askënd
Trepça vazhdimisht ka pasur probleme me ikjen e futbollistëve, sidomos të atyre të cilët i ka kalitur dhe i ka qitur në pah. Mirëpo, rregulli i FFK-së që asnjë lojtar nuk mund të kalojë në një tjetër skuadër në dimër pa leje të klubit paraprak, ua ka rregulluar punët ‘xehetarëve’.
Drejtori sportiv i klubit, Fidaim Haxhiu përmes gazetës SportPlus i ka njoftuar të gjithë lojtarët e tij se nuk do të lirohet askush në të cilin llogaritë trajneri, Ajet Shosholli.
“Asnjë lojtar i Trepçës në të cilin llogaritë trajneri nuk do të largohet. Ne gjithmonë kemi pasur probleme në dimër, pasi na kanë ikur futbollistët që i kemi afirmuar. Trepça është ndër klubet e pakta që u jep hapësirë lojtarëve të rinj, të cilët menjëherë po shkojnë. Mirëpo, meqenëse ne kemi të drejtë t’i mbajmë, nuk do ta lëshojmë asnjë, pasi po na prishet ekipi”, theksoi Haxhiu të mërkurën.
Ai bëri me disa se nuk do ta lirojnë as Mërgim Pevqelin që u zyrtarizua te Hajvalia. “Jo, jo. Trajneri llogaritë në Mërgimin dhe ai nuk e merr pëlqimin e klubit”, shtoi Haxhiu.
I vetmi futbollist që mori fletëlëshimin nga Trepça është Agon Xhaka. Ai kaloi te Prishtina me marrëveshje. “Agon Xhakën e kemi lëshuar me marrëveshje, ashtu siç e patëm marrë nga Prishtina. Po shkon prej një klubi të madh në një tjetër klub të madh. Po shkon te një trajneri i madh siç Bylbyl Sokoli që i vlerëson të rinjtë”, theksoi Haxhiu. Krejt në fund ai pohoi se Trepça do t’i transferojë tre-katër lojtarë për t’u kompletuar për pranverë. Afër marrëveshjes me mitrovicasit është Emir Rama. /Telegrafi/


