Transferimi befasues në Hungari dhe premtimi për Bundesliga 2 – Ilir Nallbani zbulon reagimin e bashkëlojtarëve
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, vjen rrëfimi nga ish-futbollisti e tashmë trajneri kosovar, Ilir Nallbani. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Në këtë podcast, Nallbani flet për hapat e tij të parë në futboll, trofetë e fituar me klubin e Besës së Pejës, kur dominonin futbollin kosovar, por edhe për transferimin në Hungari.
Nallbani tregon se si kaloi te klubi elitar hungarez në atë kohë, Tatabanya, dhe zbulon marrëveshjen që kishte me menaxherin për të kaluar në Bundesliga 2.
“Në atë kohë, kur kishim paraqitje të mira, vinin menaxherët dhe pyesnin kush është kampion në Kosovë – Besa. Pastaj të gjithë vinin në Pejë dhe i përcjellnin ndeshjet,” tregon Nallbani.
“Ma përcjellën disa ndeshje dhe më pëlqye nga ana e mesfushës, duke më ofruar një kontratë, pasi u shpalla futbollisti më i mirë në Kosovë në vitin 2005. Më ofruan një kontratë për dy vite e gjysmë. Klubi hungarez, Tatabanya, në atë kohë ishte në Superligë.”
“Kemi përfunduar në vendin e pestë ose të gjashtë dhe nuk mund të shkonim në Evropë, por për mua ishte si të shkoja të luaja në Real Madrid. Ka qenë hapi i madh në karrierë. Edhe shokët e skuadrës u habitën se si kishte mundësi për këtë transferim, pasi kishim vetëm pasaporta të UNMIK-ut,” shton ai.
Ai tutje ka folur për planin me menaxherin që pas një viti të shkonte në Bundesliga 2, por që nuk u bë, dhe vendosi të largohej nga Hungaria.
Ish-mesfushori i njohur pejan tani është përzgjedhës te Kosova U-15. /Telegrafi/


