Thonjtë e verdhë, të zinj apo blu? Ja çfarë mund të tregojnë për shëndetin tuaj
Ndryshimet në ngjyrën e thonjve zakonisht janë të padëmshme, por në disa raste mund të sinjalizojnë infeksion, lëndim ose ndonjë problem tjetër shëndetësor
Thonjtë e shëndetshëm të këmbëve zakonisht janë të tejdukshëm deri në rozë të lehtë, të lëmuar, me formë të rregullt, pak të shkëlqyeshëm, të fortë, por elastikë, pa trashje apo thërrmim.
Kur ndryshon ngjyra ose pamja e thoit, shpesh shkaku është lëndimi ose presioni mbi thua. Goditja e gishtit ose këpucët e ngushta mund të shkaktojnë mavijosje nën thua.
Ndryshimet në thonjtë e këmbëve shpesh lidhen edhe me infeksione mykotike, të cilat shkaktojnë ndryshim ngjyre dhe trashje të thonjve. Edhe disa baktere mund të prodhojnë pigmente që ndryshojnë ngjyrën e thoit. Kur thoi ndahet nga shtrati i tij, ai mund të marrë ngjyrë të bardhë. Po ashtu, problemet me qarkullimin e gjakut, sëmundjet e lëkurës ose sëmundjet kronike ndonjëherë ndikojnë në pamjen e thonjve, transmeton Telegrafi.
Thonjtë e verdhë
Thonjtë e verdhë janë ndër ndryshimet më të shpeshta. Shkaku më i zakonshëm është infeksioni mykotik. Kërpudhat zhvillohen më lehtë në ambiente të ngrohta dhe të lagështa, siç janë këpucët e ngushta dhe jo të përshtatshme.
Shenjat e infeksionit mykotik janë: ngjyra e verdhë ose verdhë-kafe e thoit, trashja, skajet e thërrmuara dhe forma e deformuar. Nëse nuk trajtohen, infeksionet mund të përhapen nga një thua në tjetrin. Me kalimin e kohës, thoi mund të trashet dhe të bëhet i dhimbshëm gjatë mbathjes së këpucëve të mbyllura.
Thonjtë e verdhë mund të jenë edhe pasojë e plakjes, psoriazës ose përdorimit të shpeshtë të llakut të thonjve.
Sipas podiatrit Travis Jensen, përdorimi i vazhdueshëm i llakut mund të shkaktojë zverdhje ose njolla kafe në thonj. Disa llaqe dhe heqës të llakut me aceton mund të lënë njolla të bardha-verdhë në pllakën e thoit. Kjo zakonisht është çështje kozmetike dhe nuk është e rrezikshme.
Thonjtë e bardhë
Thonjtë e bardhë mund të shfaqen si pika të vogla, vija ose njolla më të mëdha. Pikat e vogla të bardha zakonisht janë të padëmshme dhe shpesh shfaqen pas lëndimeve të lehta, si goditja e gishtit.
Megjithatë, sipërfaqet më të mëdha të bardha mund të jenë shenjë e infeksionit mykotik ose e ndarjes së thoit nga shtrati i tij. Ndonjëherë ato lidhen me alergji ndaj produkteve për thonj ose me lëndim të shtratit të thoit. Mund të vërehen edhe te anemia ose mungesa e zinkut.
Thonjtë kafe ose të zinj
Thonjtë e errët mund të duken shqetësues, edhe pse shpesh janë pasojë e një traume të thjeshtë.
Nëse ju bie një objekt i rëndë mbi gisht ose nëse thoi i nënshtrohet presionit të përsëritur, gjaku mund të grumbullohet nën thua. Kjo gjendje quhet hematomë subunguale. Thoi mund të duket i kuq i errët, kafe ose i zi, por me rritjen e tij ngjyra zakonisht normalizohet.
Megjithatë, jo të gjitha njollat e errëta janë të padëmshme. Një njollë e errët mund të jetë shenjë e melanomës subunguale, një formë e kancerit të lëkurës.
Duhet të vizitoni mjekun nëse vëreni:
• një vijë të errët pa lëndim paraprak;
• një njollë që zmadhohet ose errësohet;
• pigment që përhapet në lëkurën përreth;
• deformim të thoit ose dhimbje.
Thonjtë e gjelbër
Thoi i gjelbër shpesh shkaktohet nga bakteret që rriten nën thua. Një nga bakteret më të zakonshme është Pseudomonas aeruginosa. Ajo zhvillohet në ambiente të lagështa dhe mund të rritet nën thonj që janë ngritur pak nga shtrati i tyre.
Thonjtë e gjelbër mund të jenë edhe pasojë e qëndrimit të gjatë të këmbëve në lagështi ose e këpucëve të ngushta që nuk lejojnë ajrosjen e lëkurës.
Thonjtë blu ose vjollcë
Thonjtë blu ose vjollcë zakonisht lidhen me qarkullimin e gjakut ose nivelin e oksigjenit. Te sportistët, presioni i përsëritur mund të shkaktojë mavijosje dhe thoi të marrë ngjyrë vjollcë.
Por nëse disa thonj bëhen blu ose vjollcë pa lëndim, mund të bëhet fjalë për qarkullim të dobësuar. Këto ndryshime janë më të rralla, por duhet të vlerësohen nga profesionisti shëndetësor.
Nëse thonjtë blu shoqërohen me gulçim, dhimbje gjoksi ose marramendje, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Thonjtë e skuqur ose të inflamuar
Skuqja rreth thoit shpesh tregon ënjtje, inflamacion ose infeksion. Kjo ndodh shpesh për shkak të thoit të futur në mish, kur skaji i thoit rritet brenda lëkurës përreth.
Shenjat janë skuqje, ënjtje, ndjeshmëri në prekje dhe lëkurë e ngrohtë rreth thoit. Nëse nuk trajtohet, thoi i futur në mish mund të çojë në infeksion. Prerja e rregullt dhe e drejtë e thonjve mund ta parandalojë këtë problem.
Këshilla për kujdesin e këmbëve
• Lani këmbët çdo ditë dhe thajini mirë, sidomos mes gishtave.
• Ndërroni çorapet rregullisht.
• Shmangni këpucët shumë të ngushta, sepse mund të dëmtojnë thonjtë dhe të krijojnë presion.
• Mos i prisni thonjtë shumë shkurt dhe mos i rrumbullakoni skajet.
• Në zhveshtore dhe pishina të përbashkëta përdorni papuçe.
• Lërini herë pas here thonjtë pa llak, që të mund të vëreni çdo ndryshim.
Shumica e ndryshimeve të ngjyrës së thonjve të këmbëve nuk janë serioze dhe kalojnë vetvetiu me rritjen e thoit. Por nëse ngjyra nuk zbehet, përhapet ose shkakton dhimbje, këshillohet vizita te mjeku. /Telegrafi/


