The Only Way is ONE!
Çka është më e rëndësishmja, zgjedhjet aktuale partiake në LDK po dëshmojnë se LDK ka një çift politik të parrëzueshëm dhe të paparë deri më tash në Kosovë. Kombinimi Sejdiu-Mustafa është një tandem që mbjellë frikë në palcën e tërë atyre që dëshirojnë ta shohin LDK-në vetëm si pjesë e së kaluarës kosovare. Këta keqbërës i frikëson edhe më shumë fakti se pas formulës Sejdiu-Mustafa qëndrojnë edhe një ushtri e tërë njerëzish idealistë, të aftë, të përgatitur dhe të dedikuar të punojnë për një Kosovë më të mirë, ku e ardhmja e çdo fëmije është e sigurt, ku ka përgjegjësi për çdo veprim, por më me rëndësi, ku njeriut i kthehet dinjiteti që dikur ua kishte mbjellë Presidenti Rugova. Ky ambient nuk iu konvenon keqbërësve dhe pikërisht për këtë arsye, ata po investojnë fuqishëm në shkatërrimin e këtij relacioni stoik.
Shpeshherë, muzika na ndihmon t'i përballojmë sfidat e jetës. Disa net më parë, dëgjova një këngë rok që ka kohë që nuk e kam dëgjuar. Kjo këngë më zgjoi ndjenja nostalgjie nga vitet e kolegjit me shokët e mi të dashur, që tash tri vite nga kthimi në Kosovë më mungojnë shumë. Kënga “One” nga rok bendi "Creed" ishte bërë pothuajse himni i grupit tim të shokëve dhe nuk kishte ditë që nuk e dëgjonim. Ishte bërë himni ynë pikërisht për arsye të mesazhit që përçonte, nevojën për të qenë të bashkuar në ballafaqimin me sfidat e jetës.
“Ne mund të ngrihemi apo të rrëzohemi, por në fund, ne do të takojmë fatin tonë së bashku”, thoshte kënga të cilën e këndonim në çdo ndejë studentore. Për mua, kjo këngë zgjon edhe një ndjenjë të veçantë pasi, që e dëgjoja në një kohë kur unë isha në Amerikën e largët, ndërsa familjen e kisha të ngujuar në Kosovën e kapluar me luftë.
Dëgjimi i kësaj këngë para ca netësh, më shtyri të mendoj se kjo këngë i përshtatet edhe ambientit të tashëm politik – mendoj, për sfidat të cilat po i përballon sot Lidhja Demokratike e Kosovës. Të gjithë po e shohim, se ky institucion që udhëhoqi betejën jetike të Kosovës, duke huazuar fjalët e Shakespeare-it, për të qenë apo për të mos qenë, po ballafaqohet me sfidat e jetës së një partie të moçme politike. Para saj, LDK ka reformat që të gjithë e pranojmë se nuk po ecin me shpejtësinë që ithtarët e saj dëshirojnë; brenda saj, LDK ka të porositur të konkurrentëve të saj të përbetuar që të gjithë e pranojmë se janë të shumtë; e mbi atë, LDK ka barrën e të qenit gjithmonë shënjestër e ziliqarëve si udhëheqëse e proceseve të mëdha kombëtare, që të gjithë e pranojmë se ka shumë që ende mbesin për t'u përfunduar. Të gjitha këto, argumentojnë disa, janë recetë për asgjësim.
Cilëndo parti tjetër në Kosovë, ndoshta këto rrethana vërtetë do ta asgjësonin. Mirëpo, LDK ka qenë, është dhe do të mbetet përballuese e parashikimeve të errëta. LDK mbijeton sepse ka traditë dhe ka vlera.
Tradita e LDK-së fillon para dy dekadave. Mirëpo sot, LDK nuk është më ajo e viteve të 90-ta, sepse rrethanat politike në Kosovë kanë ndryshuar dukshëm. Ajo është tjetër sot, sepse po kalon nëpër një tranzicion nga një lëvizje shtetëbërëse në një parti politike. E vërtetë është se reformat dhe ripërtëritja e aseteve (burimeve njerëzore) partiake për një kohë ka ecur me shpejtësi të një kërmilli të moshuar, për arsye se përqendrimi i LDK ishte në arritjen e qëllimeve kombëtare, të cilat në disa raste e futën në shtrat edhe me vet djallin. Pavarësisht kësaj, gjatë këtyre dy dekadave, LDK ka ndërtuar një traditë politike të themeluar nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, dhe të kultivuar tutje nga ish-presidenti Dr. Fatmir Sejdiu. Është traditë e urtësisë dhe intelektit, një traditë e ndërtuar mbi vlerat e popullit tonë, që tash po i nënshtrohet një azhurnimi për t’iu adaptuar rrethanave të reja në të cilat gjendet vendi i ynë.
Përpos traditës, mbijetesa dhe zotërimi politik i LDK-së ka qenë po ashtu rezultat i vlerave të cilat LDK kishte, ka dhe do të ketë në të ardhmen. Derisa këto vlera janë të shumta, më e rëndësishmja është vlera njeri. Fatmirësisht, LDK-ja ka njerëz të aftë dhe të gatshëm që ta shtyjnë LDK-në dhe Kosovën përpara; ka njerëz që prapë do ta bëjnë popullin tonë që të besojë.
Për arsye kombëtare, LDK ka injoruar veten për një kohë të gjatë. Mirëpo, më në fund, siç po shihet edhe në zgjedhjet aktuale partiake, LDK është përqendruar në përmirësimin e vetes së saj. Duhet të pranohet se ky është një proces i vështirë, sidomos për një parti politike që ka demokraci të brendshme, tipar që njëherësh e bën LDK-në unikate në skenën politike kosovare. Por, LDK po ripërtërihet. Në çdo aktiv, çdo nëndegë dhe çdo degë, po avancohen kuadro të reja që përfaqësojnë të tashmen dhe të ardhmen e LDK-së dhe Kosovës. Këta njerëz janë ata që do ta ndërtojnë dhe zbatojnë planin strategjik për një Kosovë evropiane.
Çka është më e rëndësishmja, zgjedhjet aktuale partiake në LDK po dëshmojnë se LDK ka një çift politik të parrëzueshëm dhe të paparë deri më tash në Kosovë. Kombinimi Sejdiu-Mustafa është një tandem që mbjellë frikë në palcën e tërë atyre që dëshirojnë ta shohin LDK-në vetëm si pjesë e së kaluarës kosovare. Këta keqbërës i frikëson edhe më shumë fakti se pas formulës Sejdiu-Mustafa qëndrojnë edhe një ushtri e tërë njerëzish idealistë, të aftë, të përgatitur dhe të dedikuar të punojnë për një Kosovë më të mirë, ku e ardhmja e çdo fëmije është e sigurt, ku ka përgjegjësi për çdo veprim, por më me rëndësi, ku njeriut i kthehet dinjiteti që dikur ua kishte mbjellë Presidenti Rugova. Ky ambient nuk iu konvenon keqbërësve dhe pikërisht për këtë arsye, ata po investojnë fuqishëm në shkatërrimin e këtij relacioni stoik.
Është e vërtetë se tradita e LDK-së do të sulmohet vazhdimisht. E vërtetë është se vlerat e LDK-së do të nënçmohen pandërprerë. LDK e bart këtë barrë si rezultat i të qenit shënjestër sepse pavarësisht nga rrëzimet apo dështimet që mund të ketë pasur, mbetet institucion që përfaqëson idealet dhe synimet e popullit, dhe të cilës mu për këtë arsye kundërshtarët gjithmonë do t’ia kenë zili.
LDK ka pasur shumë ngritje dhe shumë rrëzime. Por, LDK në fund gjithmonë ka takuar fatin e saj e bashkuar. Pra, edhe sot, porosia e LDK-së për një të ardhme të ndritshme dhe të suksesshme mbetet ajo të cilën e thotë edhe vet kënga e "Creed": "E vetmja mënyrë është BASHK!”


