Please enter at least 3 characters.

Testimi i dronit “Skifteri” është bërë jashtë Kosovës, Aliu thotë se goditja ishte reale e jo AI

Pas publikimit të pamjeve nga testimi i dronit kosovar “Skifteri”, i cili demonstron aftësi goditëse me rreze veprimi deri në një mijë kilometra, janë sqaruar edhe detaje shtesë rreth vendit dhe kushteve të testimit.

Ridvan Aliu, prodhuesi i dronëve ka bërë të ditur për Telegrafin se testimi nuk është zhvilluar në territorin e Kosovës, por jashtë vendit.

“Testimi është bërë jashtë Kosovës, në lokacionin e klientit. Goditja është e vërtetë, mirëpo për shkaqe të sigurisë edhe me kërkesë të klientit tonë, pamjet janë bërë invert dhe me night vision on. Më shumë informata nuk mundem të jap”, ka deklaruar Aliu për Telegrafin.

Sipas tij, kufizimi i informatave lidhet drejtpërdrejt me aspektet e sigurisë dhe marrëveshjen me klientin, ndërsa projekti konsiderohet i ndjeshëm për shkak të kapaciteteve teknologjike që posedon droni.

Sipas të dhënave të publikuara, “Skifteri K1” ka kohë fluturimi prej 7 orë e 12 minutash, rreze veprimi mbi 1 mijë kilometra dhe kapacitet bartës deri në 42 kilogramë.

Publikimi i pamjeve nga testimi i “Skifterit” ka ngjallur interes të madh publik, duke u konsideruar si një zhvillim i rëndësishëm në fushën e teknologjisë së mbrojtjes dhe inovacionit vendor. /Telegrafi/