Please enter at least 3 characters.

Te Portugalia të çmendur pas Cristiano Ronaldos, përzgjedhësi: E dua edhe në Kupën e Botës 2030

Cristiano Ronaldo mund të mos e ketë thënë ende fjalën e fundit me Kombëtaren e Portugalisë, teksa përzgjedhësi Roberto Martinez beson se sulmuesi legjendar mund të jetë pjesë edhe e Kupës së Botës 2030.

Ronaldo, i cili pritet të marrë pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, vazhdon të thyejë rekorde me Portugalinë dhe mbetet futbollisti i vetëm në histori që ka realizuar gol në pesë edicione të ndryshme të Kupës së Botës.

Shumëkush beson se Botërori i ardhshëm mund të jetë i fundit për 41-vjeçarin, por Martinez nuk e sheh kështu situatën.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë. Ai e ka merituar”, deklaroi Martinez për Cadena Ser kur u pyet nëse Ronaldo mund të luajë edhe në Kupën e Botës 2030.

Trajneri portugez vlerësoi maksimalisht profesionalizmin dhe mentalitetin e Ronaldos, duke e cilësuar si shembull për gjeneratat e reja.

“Do të donim të transmetonim modelin e Cristiano Ronaldos te të gjithë futbollistët e rinj në Portugali, sepse ai është një model për t’u ndjekur”.

Martinez zbuloi se stafi teknik ka arritur në një përfundim të qartë sa i përket motivimit të yllit portugez.

“Ne, stafi teknik, kemi arritur në një përfundim: Cristiano Ronaldo nuk luan për të fituar një titull specifik kolektiv apo individual”.

“Cristiano nuk përcaktohet nga ajo që ha, por nga uria që posedon. Çfarëdo që fiton Cristiano, të nesërmen ai ka të njëjtën uri për t’u përmirësuar”.

Tekniku shtoi se mentaliteti unik i Ronaldos është arsyeja kryesore që ai vazhdon të garojë në nivelin më të lartë edhe në këtë moshë.

“Kam punuar me shumë lojtarë që kanë fituar Ligën e Kampionëve apo Topin e Artë dhe ditën tjetër humbin oreksin. Ajo që kemi te Ronaldo është shembull i një mentaliteti ndryshe”.

“Besoj se të kesh atë objektiv është ajo që lejon jetëgjatësinë. Sigurisht, ekziston aspekti gjenetik, puna që ai bën – ai përdor gjithçka që mund ta ndihmojë trupin e tij – dhe mentaliteti i tij”./Telegrafi/