Të ndihmojmë njërit tjetrin, kur “ai” më lart nuk mundet
Mjerim varfëri, skamje, me këto fjalë na është lodhur veshi tashmë, por atë qe dua ta theksoj është individualiteti se si ajo vjen tek secili prej nesh. Gjithkush ka histori të veçanta dhe mënyra e përcjelljes së saj është po ashtu e veçantë.
Diku rreth mesditës po dëgjoja rastësisht në një emision të përditshëm që trajton tema sociale, historinë e një familjeje nga fshati Gribë i Gramshit. Shumëkujt i kujtohet se rreth 6 muaj më parë Shqipëria sikur ndjeu “mallkimin” e Zotit. Them mallkimin, pasi bekim nuk mund të jetë një fatkeqësi si ajo e shembjes masive të dherave, apo përmbytjet e disaherëve në zonën e Nënshkodrës. Mediat folën gjatë në atë periudhë. Një nga këto fatkeqësi prekën një familje në Gribë të komunës Kukur në Gramsh.
Personalisht nuk kam qenë kurrë në këtë fshat, por një mikesha ime ma tregoi me ilustrimin “është fshat ku ha pula gurë” ç’do me e ditë ishin fjalët e saj.
Në fakt më bëri përshtypje historia e Shpresës, vajzës 12 vjeçe e cila prej 3 muajsh jeton në një çadër së bashku me familjes e saj, ku gjithsej ishin 8 anëtarë. Shpresa e vogël nuk shkon në shkollë pasi nuk ka mundësi, familja e saj jeton me ndihmën sociale prej 30 mijë lekësh të vjetra apo 3 mijë të reja. Askush nuk do ta kishte lakmi pozicionin e saj.
Imagjinoni një adoleshente në moshën më të bukur të saj të jetoj në çadër, ku siç tha nëna e Shpresës, kur bie shi, më shumë bie brenda se jashtë. Babai i saj një zotëri burrë i mposhtur nga fatkeqësia që ka rënë mbi shpinë. E vetmja ndihmë që kjo familje ka parë është ajo e 1 kg vaj, 2 kg miell, e 1 kg oriz.
Por a quhet ndihmë kjo?
Dje ishte 1 qershori, por për fëmijët e çadrës (më lejoni t’i quaj kështu) dita e djeshme ishte një nga të shumtat ku atyre u duhet të përballen me sekondin që u zgjat pambarim. Nuk dua të shaj askënd pse ka lënë këtë familje në mjerim, pasi vetë nuk jam më e mirë se të tjerët, plus që shumëkush do më kundërshtonte dukë thënë se si kjo familje ka me dhjetëra, me qindra, mijëra do guxoja të thoja…
Është e vërtet, por po kaq i vërtet është fakti që kjo familje për hir të humanizmit që është brenda nesh duhet ndihmuar. Dhe kjo ndihmë duhet dhënë tani, para se kjo histori të venitet nga shumë e shumë të tjera që e pasojnë dhe që janë pambarim.
Shteti ynë është i varfër kjo dihet botërisht, por ama askush nuk ka të drejtë të lerë në mes të katër rrugëve “jetë” ende të pamësuara mirë me jetën, askush.
Fundja ç’na hyn shumë në punë kush e ka pushtetin, kush e bën shtetin, kur ky shtet nuk është për ne?. Kujt duhet t’ia shtrijë dorën familja e Shpresës?
Do të propozoja krijimin e një fondi bankar për këta të mjerë të Shqipërisë. Gurë gurë bëhet kalaja thotë populli, dhe këtë gjë e mbështesim të gjithë. Të japim ngapak kush ka mundësi, pasi ajo pak për ne, për Shpresën adoleshente do të thotë shumë. I falim jetën asaj dhe familjes së saj.


