Zemërimi nuk është i keq: Si t’u mësojmë fëmijëve ta përballojnë atë me pjekuri
Të edukosh emocionalisht një fëmijë është po aq e rëndësishme sa ta ushqesh apo ta veshësh dhe të mësuarit e menaxhimit të zemërimit është një nga hapat më jetikë
Të jesh prind është një nga rolet më sfiduese dhe më domethënëse në jetë. Përveç përkujdesjes bazike si ushqimi, veshja apo sigurimi i një strehe të sigurt – prindërit mbajnë përgjegjësinë edhe për zhvillimin emocional dhe mendor të fëmijës së tyre. Kjo pjesë, megjithëse shpesh anashkalohet, është thelbësore për formimin e një të rrituri të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm emocionalisht.
Shpesh prindërit mendojnë se për të qenë të suksesshëm në prindërim, mjafton të plotësojnë nevojat fizike të fëmijës. Por kujdesi emocional është po aq thelbësor. Një fëmijë që ka gjithçka materialisht, por nuk është mësuar të kuptojë, të njohë apo të përballojë emocionet, do të hasë vështirësi të mëdha në jetë.
Një nga emocionet që shpesh konsiderohet “i keq” është zemërimi. Kjo ndjesi, në fakt, është e natyrshme dhe e pashmangshme, ashtu si gëzimi apo trishtimi. Ajo çfarë ka rëndësi është mënyra se si fëmijët mësohen ta përjetojnë dhe ta shprehin atë, transmeton Telegrafi.
Si të ndihmoni fëmijët të ndërtojnë inteligjencën emocionale?
Dëgjojini dhe tregoni interes të sinqertë për ndjenjat e tyre. Kur ata shfaqin tension, nervozizëm apo pasiguri, mos i shmangni ato ndjenja. Pyetini me qetësi: “Si ndihesh?” ose “Çfarë të shqetëson?”
Mos i bëni të ndihen në faj për emocionet që përjetojnë. Edhe nëse një reagim nuk është i përshtatshëm, nuk do të thotë që ndjesia që e shkaktoi atë është e gabuar. Në vend që t’i kritikoni, ndihmojini të kuptojnë se si mund të reagojnë më mirë herën tjetër.
Mësojini të emërtojnë emocionet. Sa më herët ta kuptojnë se çfarë po ndiejnë (p.sh. frustrim, zhgënjim, pasiguri), aq më mirë do ta menaxhojnë atë. Vetëdija emocionale është hapi i parë drejt vetëkontrollit.
Jini shembull për ta. Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që bëni sesa nga ajo që thoni. Nëse ju reagoni ashpër apo e shmangni bisedën për ndjenjat tuaja, do ta bëjnë edhe ata njësoj.
Mos kërkoni perfeksionin emocional. Fëmijët nuk kanë pse të jenë të qetë dhe të bindur në çdo situatë. Lejojuni të jenë vetvetja, edhe nëse kjo do të thotë të mbajnë një bluzë me ngjyra që nuk ju pëlqejnë juve, është pjesë e rritjes dhe ndërtimit të identitetit të tyre.
Flisni hapur për emocionet “e pakëndshme”.Në vend që t’i shmangni, bisedoni rreth ndjenjave si frika, zemërimi apo trishtimi. Tregojuni se të gjithë i përjetojmë dhe se ka mënyra të shëndetshme për t’u përballur me to.
Mbështetini në shprehjen kreative të emocioneve. Muzika, arti, vizatimi, loja apo moda janë mënyra të shkëlqyera për të kanalizuar ndjenjat. Kjo është një rrugë e sigurt dhe zhvilluese drejt vetëshprehjes.
Ndajini me ta edhe mënyrat tuaja të përballjes.Kur flisni për mënyrën si ju vetë menaxhoni stresin apo zhgënjimin, ata mësojnë se nuk janë vetëm dhe se edhe të rriturit përballen me emocione sfiduese.
Mbani mend:
Fëmijët nuk kanë nevojë për një jetë pa emocione negative - ata kanë nevojë të mësojnë si t’i përballojnë ato. Kur ndihmojmë një fëmijë të kuptojë dhe të pranojë ndjenjat e veta, i japim një nga dhuratat më të rëndësishme të jetës: vetëbesimin emocional. /Telegrafi/


