Tarifat e SHBA-së godasin Kanadanë: Prodhimi i makinave bie me 64 mijë automjete
Politikat tarifore të administratës së Donal Trump duket se kanë ndikuar ndjeshëm në industrinë automobilistike të Kanadasë.
Sipas Qendrës për Kërkime në Industrinë e Automjeteve (CAR), prodhimi i automjeteve në Kanada ra me 15% deri në fund të prillit, që përkthehet në rreth 64 mijë automjete më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, fabrikat në Shtetet e Bashkuara rritën prodhimin me rreth 44 mijë automjete, ose 1.2%.
Ekspertët thonë se automjetet e prodhuara në Kanada përballen me tarifa efektive prej 12–13% kur eksportohen në SHBA, edhe pse shumë prej tyre përmbajnë mbi 50% pjesë të prodhuara në Amerikë.
Kjo ka bërë që prodhimi të zhvendoset pjesërisht drejt fabrikave amerikane, ndërsa disa impiante kanadeze kanë ulur ose ndalur përkohësisht aktivitetin.
Situata është rënduar edhe nga ndalimi i prodhimit në fabrikën CAMI të GM në Ontario dhe ulja e përkohshme e prodhimit të Toyota RAV4 për shkak të kalimit në modelin e ri.
Për pasojë, automjetet e prodhuara në SHBA kanë fituar më shumë pjesë tregu, ndërsa Kanadaja dhe Meksika kanë pësuar humbje të konsiderueshme në prodhim dhe shitje.
Sipas ekonomistit Tyler Harp, tarifat nuk kanë reduktuar ndjeshëm importet nga jashtë Amerikës së Veriut, por kanë zhvendosur prodhimin dhe shitjet brenda rajonit.
Ndërkohë, qeveria kanadeze po shqyrton mundësinë e tërheqjes së prodhuesve kinezë të automjeteve për të investuar dhe prodhuar makina në territorin e saj. /Telegrafi/


