Tajvanezi dënohet me burg pasi përdori fshesën robot për të filmuar gruan që po e tradhtonte
Një burrë në Tajvan është dënuar me pesë muaj burg, pasi përdori një fshesë robot me kamerë për të filmuar gruan e tij teksa ajo po e tradhtonte me një tjetër burrë.
Sipas mediave tajvaneze, burri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, e kishte kapur gruan në një lidhje jashtëmartesore dhe më pas përdori pamjet e regjistruara si prova për ta paditur atë dhe të dashurin e saj. Megjithatë, të njëjtat pamje u përdorën kundër tij në një kundërpadi, pasi ai i kishte regjistruar ata pa pëlqimin e tyre.
Çifti ishte martuar në vitin 2021 dhe jetonte me prindërit e burrit. Ata kishin edhe një shtëpi pushimi, të cilën e vizitonin vetëm gjatë festave. Në vitin 2023, gjatë një prej vizitave, burri gjeti një furçë dhëmbësh të panjohur në shtëpi dhe nisi të dyshonte se gruaja po e tradhtonte.
Ai kontrolloi pamjet e kamerave të sigurisë në parking dhe vuri re një burrë që më parë e kishte dërguar gruan e tij në shtëpi nga puna. Kur e pyeti për këtë, gruaja mohoi çdo lidhje dhe burri e besoi. Por tre muaj më vonë, ai zbuloi rastësisht se dyshimet e tij kishin qenë të sakta.
Burri kishte aktivizuar nga distanca fshesën robot përmes aplikacionit të saj, me qëllim që t'i bënte një surprizë gruas duke komunikuar me të përmes pajisjes. Por kur aktivizoi kamerën e fshesës, pa gruan në shtrat me të dashurin e saj.
Në vend që t'i përballte menjëherë, ai vendosi të vazhdonte regjistrimin për të siguruar prova për një proces gjyqësor. Pamjet tregonin gruan duke përqafuar të dashurin e saj dhe duke lëvizur lakuriq nëpër shtëpi, ndërsa burri tjetër ishte ulur në divan.
Me këto pamje si prova, burri paditi gruan dhe të dashurin e saj dhe kërkoi 2 milionë dollarë tajvanezë (rreth 68 mijë dollarë amerikanë) si kompensim.
Gjykata vendosi se marrëdhënia e gruas me burrin tjetër kishte kaluar përtej kufijve të një miqësie dhe i urdhëroi ata t'i paguanin burrit të tradhtuar 500 mijë dollarë tajvanezë.
Por fitorja e tij u shoqërua me një goditje të papritur: gruaja ngriti një kundërpadi për shkelje të privatësisë.
Gjykata argumentoi se, edhe pse burri kishte të drejtë të ndihej i tradhtuar, detyrimet martesore nuk mund të tejkalojnë të drejtën e një personi për privatësi. Për këtë arsye, ai nuk kishte të drejtë ta filmonte gruan dhe të dashurin e saj pa pëlqimin e tyre.
Sipas ligjit tajvanez, regjistrimi ose publikimi i aktiviteteve private apo informacioneve personale të dikujt pa e informuar atë mund të dënohet me deri në tre vjet burg dhe gjobë deri në 300 mijë dollarë tajvanezë.
Në këtë rast, burri u dënua me pesë muaj burg dhe u urdhërua të paguante edhe një gjobë prej 150 mijë dollarësh tajvanezë. /Telegrafi/


