Sveçla: NPB-së i janë bllokuar llogaritë, mbi 30 milionë euro dëmshpërblim ndaj investitorëve
Drejtuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka ngritur akuza të reja lidhur me gjendjen e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke pretenduar se llogaritë bankare të ndërmarrjes janë bllokuar pas një vendimi të Gjykatës Komerciale.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se bllokimi i llogarive ka ardhur si pasojë e një vendimi për dëmshpërblim prej më shumë se 30 milionë eurosh ndaj investitorëve privatë në lidhje me projektin në Lakrishtë.
“Sipas informatave të fundit, Ndërmarrjes Publike Banesore i janë bllokuar llogaritë bankare, si rezultat i vendimit të Gjykatës Komerciale për dëmshpërblim prej mbi 30 milionë eurosh ndaj investitorëve privatë të projektit ‘fantom’ në Lakrishtë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka lidhur përgjegjësinë për situatën me qeverisjen e Përparim Ramës në Komunën e Prishtinës dhe me menaxhimin e NPB-së.
“E gjithë kjo po ndodh nën qeverisjen e Përparim Ramës dhe nën menaxhimin e PDK-së në NPB”, ka deklaruar ai.
Sveçla ka pretenduar se NPB-ja që nga viti 2022 udhëhiqet nga PDK-ja, ndërsa ka ngritur pikëpyetje edhe për përfaqësimin juridik të ndërmarrjes në këtë proces gjyqësor.
“Që nga viti 2022, NPB-ja udhëhiqet nga PDK-ja. Edhe përfaqësimin juridik në këtë proces e ka bërë avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në seancën përfundimtare në shkallën e parë, Komuna e Prishtinës nuk kishte dërguar përfaqësues ligjor.
“Kurse në seancën përfundimtare në shkallën e parë, në këtë rast kaq të rëndësishëm, Komuna e Prishtinës nuk kishte dërguar fare përfaqësues ligjor”, ka pretenduar Sveçla.
Drejtuesi i asamblistëve të LVV-së ka thënë se partia e tij kishte ngritur shqetësime për këtë marrëveshje gjatë viteve të fundit dhe kishte kërkuar debat në Kuvendin Komunal.
“Si LVV, pesë vjet kemi sinjalizuar për këtë marrëveshje të dëmshme. Pesë vjet kemi kërkuar debat në Kuvendin Komunal. Pesë vjet jemi sjellë nga një gjykatë në tjetrën. Kemi bërë kallëzime penale e kemi ngritur padi”, ka shkruar ai.
Në fund, Sveçla ka ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e pretenduar në NPB, duke përmendur LDK-në, PDK-në, sistemin e drejtësisë dhe figura politike që kanë mbështetur kryetarin Përparim Rama.
“Kush mban përgjegjësi për këtë? LDK-ja që e solli Përparim Ramën? Uran Ismaili që e mbështeti dy herë radhazi Përparimin? PDK-ja që për pesë vjet e degradoi ndërmarrjen dhe, në fund, e dërgoi avokatin e vet partiak si përfaqësues të saj? Sistemi i drejtësisë që nuk ishte aspak i drejtë? Apo, si zakonisht, askush?”, ka shkruar Sveçla.
Ai e ka përmbyllur reagimin me një mesazh drejtuar kryeqytetit: “Prishtinë, dikund ke bërë mëkat. Prishtinë, nuk e ke merituar këtë”.
Pretendimet e Sveçlës për bllokimin e llogarive të NPB-së, vendimin për mbi 30 milionë euro dëmshpërblim dhe përfaqësimin juridik të ndërmarrjes duhet të verifikohen nga institucionet përkatëse dhe palët e përfshira. /Telegrafi/


