Sveçla akuzon Ramën dhe asamblistët e shumicës në Prishtinë se po shmangin diskutimin për raportin e auditimit
Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas mosfutjes në rend dite të diskutimit për Raportin e Auditorit të Përgjithshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka pretenduar se shqyrtimi i këtij raporti ishte paraparë në planin vjetor të punës së Kuvendit të Kryeqytetit, por sipas tij, pika nuk është përfshirë në agjendën e mbledhjes.
“Pse po i frikësohen raportit të auditimit? Sipas planit vjetor të punës, sot Kuvendi i Kryeqytetit është dashur ta shqyrtojë Raportin e Auditorit të Përgjithshëm. Por kjo pikë nuk u fut fare në rend dite”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka bërë të ditur se grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që raporti të diskutohet me urgjencë, por pretendon se kjo kërkesë nuk është mbështetur nga shumica e anëtarëve të kuvendit.
“Grupi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! propozoi që raporti të diskutohej me urgjencë. Përparim Rama, PDK dhe grupi i asamblistëve të tij, grupi PLDK-së, votuan kundër”, ka deklaruar ai.
Sipas Sveçlës, mosdiskutimi i raportit të auditimit cenon transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve lokale.
“Kur refuzohet diskutimi për raportin e auditimit, refuzohet edhe transparenca dhe llogaridhënia”, ka shkruar Sveçla. /Telegrafi/


