Super-lajm për auto sportin e Kosovës
Kjo kompani ka kontribuar edhe më herët në sportet tjera, e në veçanti në basketbollin kosovar, kur ishte sponsor i KB Prishtinës gjatë viteve 1996-2004. Kjo është kompania “EUROGOMA” me pronar, Ismet Rexhepin.
Rexhepi i frymëzuar nga garat e Formula 1 dhe në veçanti pas garës së fundit në shtegun e Monacos, ishte momenti kur ai dhe kompania të cilën e drejton vendosën të bëjnë diçka më shumë për këtë sport.
Pas kontakteve me përfaqësuesit e auto klubeve dhe të Federatës së Automobilizmit të Kosovës, u arrit marrëveshja që, z. Ismet Rexhepi, ta sponsorizoj organizimin e garave në kuadër të Kampionatit të Kosovës dhe t’i pajis garuesit aktiv me nga një set gomash sportive për gara të ashtuquajtura “slick”. Rexhepi njëherit është caktuar edhe nënkryetar i FASK-ut.
Ky lajm i mirë erdhi në momentin më të duhur, në momentin kur interesimi dhe numri i garuesve është duke u shtuar jo vetëm nga Kosova, por në kuadër të këtij Kampionati janë përfshirë edhe garues nga Shqipëria, si p.sh A.K DDA me gjashtë garues aktiv që nga viti i kaluar.
Kjo iniciativë e kompanisë “EUROGOMA” padyshim se do t’iu lehtësojë shpenzimet e mëdha garuesve por edhe do t’i motivojë garuesit për të arritur rezultate edhe më të mira.
Gjithashtu, gara e radhës automobilistike që do të organizohet në disiplinën kodrinore/malore nga EUROGOMA dhe FASK, do të mbahet me datën 22 dhe 23 qershor në shtegun e njohur të Prevallës. /Telegrafi/


