Please enter at least 3 characters.

Sulmohet sërish policia shqiptare

2016/01/sulmohet-s-euml-rish-policia-shqiptare_hd.jpg

Policia bën të ditur se janë identifikuar personat që po qëllojnë me armë zjarri si dhe është vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë euro për ata që japin informacion për kapjen e tyre.

Sipas policisë personat që po qëllojnë janë një grup prej 10 personash të identifikuar nga komuna Pult e Dukagjinit Besnard Bungaja, Gjin Guri, Lekë Thani, Nikollë Shpati, Palë Dushku, Gegë Kola, Mentor Bungaja, Pëllumb Dushku, Nikë Tonaj dhe Kolë Bungaja.

Personat në fjalë janë shpallur në kërkim nga policia dhe aktualisht forcat RENEA janë duke kryer disa aksione në zonat ku dyshohet se ndodhen ata.

Në të njëjtën kohë policia ka thirrur për të bashkëpunuar kryetarin e Komunës Pult dhe familjarët e personave që po qëllojnë, me qëllim bindjen e këtyre të fundit për t’u dorëzuar.

Gjatë operacionit anti-kanabis në zonën e Dukagjinit janë asgjësuar rreth 41 mijë rrënjë kanabis sativa, ndërkohë që vazhdon asgjësimi i dhjetëra parcelave.

Një ditë më parë Policia e Shtetit vendosi të ndryshojë strategjinë e operacionit anti-kanabis në Veri të vendit nisur nga kundërshtimi me armë i disa prej banorëve duke përdorur skemën e Lazaratit.

Duke konsideruar terrenin tejet të vështirë dhe duke marrë parasysh sulmin që po i bëhet me armë, në veri të vendit u dërguan forca shtesë për të kryer një operacion më të madh nga çfarë ishte menduar më parë.

Mendohet që e gjithë zonat ku është identifikuar nga ajri që ka të mbjella me kanabis sativa do të rrethohet nga forcat speciale policore dhe me pas do të fillojë shkatërrimi i tyre.

Policia mendon se do të ndërmarrë të njëjtat veprime si në Lazarat duke qenë se në operacionin e fundit pati sukses, ndërsa konfirmon se nuk do të ketë tërheqje edhe pse është kundërshtuar me armë. /Telegrafi/