Sulm i madh kibernetik ndaj Ministrisë së Arsimit në Angli, hakerët vodhën mbi 600 mijë të dhëna
Një sulm i madh kibernetik ndaj Ministrisë së Arsimit të Anglisë (DfE) ka çuar në vjedhjen e rreth 607 mijë regjistrimeve të të dhënave, njoftojnë autoritetet britanike.
Informacionet e komprometuara përfshijnë numra telefoni dhe adresa elektronike të individëve dhe organizatave, por jo të dhëna bankare apo informacione të tjera të ndjeshme.
Sulmi goditi portalin e programit Turing, i cili financon projekte të arsimit ndërkombëtar, si dhe shërbimin online për përdoruesit e Ministrisë së Arsimit. Autoritetet britanike bëjnë të ditur se incidenti u identifikua dhe u ndalua shpejt, ndërsa rreziku për personat e prekur vlerësohet të jetë i kufizuar.
Ministria e Arsimit ka konfirmuar sulmin dhe ka nisur bashkëpunimin me Qendrën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA) për hetimin e rastit. Për incidentin është informuar edhe Zyra e Komisionerit për Informacionin, shkruan bbc.
Autoritetet sqaruan se shifra prej 607 mijë nuk përfaqëson numrin e personave të prekur, por numrin total të regjistrimeve të të dhënave të ruajtura në sistemet e prekura.
“Ne kemi procedura të rrepta për mbrojtjen e informacionit dhe reaguam shpejt për ta ndalur këtë incident. Bëhet fjalë vetëm për të dhëna kontakti të shërbimit ndaj klientëve për individë dhe organizata. Nuk pati qasje në të dhëna të tjera”, tha një zëdhënës i Ministrisë.
Agjencia Kombëtare e Krimit konfirmoi se është duke punuar me partnerët për të përcaktuar autorët e sulmit dhe përmasat e dëmit të shkaktuar.
Sipas autoriteteve, sistemet e prekura pritet të rikthehen plotësisht në funksion deri në fund të javës. /Telegrafi/


