Please enter at least 3 characters.

Stuhia dëmton kulmin e shkollës "28 Nëntori" në Raushiq, kërkohet ndërhyrje urgjente

Stuhia e fuqishme që përfshiu të martën rajonin e Pejës ka shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët "28 Nëntori" në fshatin Raushiq.

Sipas njoftimit të shkollës, si pasojë e motit të lig është dëmtuar një pjesë e kulmit të objektit shkollor.

"Si pasojë e stuhisë së fuqishme që përfshiu zonën tonë gjatë ditës së sotme, fatkeqësisht objekti i SHFMU '28 Nëntori' në Raushiq ka pësuar dëmtime materiale, konkretisht është dëmtuar një pjesë e kulmit të shkollës", thuhet në njoftim.

Menjëherë pas evidentimit të dëmeve, drejtuesit e shkollës kanë njoftuar institucionet përgjegjëse dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për vlerësimin e situatës dhe sanimin e dëmeve.

"Menjëherë pas evidentimit të dëmit, janë njoftuar institucionet përgjegjëse, konkretisht Drejtoria e Arsimit në Pejë dhe Komuna e Pejës, dhe është kërkuar ndërhyrje urgjente për vlerësimin e gjendjes dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara", thuhet më tej.

Nga shkolla bëhet e ditur se, pavarësisht dëmeve materiale, nuk ka persona të lënduar.

"Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar. Prioriteti ynë mbetet ruajtja e objektit shkollor", përfundon njoftimi. /Telegrafi/