Please enter at least 3 characters.

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë për gjuhën shqipe, reagon Bebe Rexha: Shqipja është pjesë e identitetit tonë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shprehur publikisht mbështetje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protestë më 18 maj për të kërkuar të drejtën që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Në disa postime në InstaStory, artistja ka shpërndarë thirrjen për protestë me mbishkrimin “Protestë - Bashkohuni me studentët… 18 maj 2026”, duke përcjellë mesazhin që të gjithë të bëhen “një zë”.

Krahas kësaj, ka bërë edhe një shkrim ku theksohet rëndësia e gjuhës shqipe si pjesë thelbësore e identitetit kombëtar.

Foto: Instagram

“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, thuhet në postim, duke rikujtuar sakrificat historike të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës.

Rexha gjithashtu sjell në vëmendje edhe faktin se Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, i ndërtuar mbi bashkëjetesën dhe parimin e të drejtave të barabarta, ku shqipja njihet si gjuhë bashkë-zyrtare.

Në këtë kontekst, mesazhi i saj nënvizon se studentët shqiptarë duhet të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë të tjerët, sidomos në arsim dhe në proceset profesionale që ndikojnë në karrierën e tyre.

Reagimi i këngëtares është pritur me interes në rrjete sociale, ku shumë ndjekës e kanë vlerësuar si një zë të rëndësishëm ndërkombëtar që i bashkohet thirrjes për barazi gjuhësore dhe respektim të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/

Foto: Instagram