Please enter at least 3 characters.

Spitali i Prizrenit me kushte më moderne për pacientët në Repartin e Pulmologjisë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku zëvendëskryeministren në detyrë, Emilija Rexhepi, deputetë të Kuvendit, dhe stafin drejtues të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit të martën kanë përuruar renovimet në Repartin e Pulmologjisë të këtij spitali.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, vlera e përgjithshme e investimit është 142 mijë euro, ku 16% nga ky investim përfshin furnizimin me shtretër dhe inventar të ri, kurse pjesa tjetër është aspekti infrastrukturor i repartit.

"Ky repart tashmë do të ofrojë kushte dhe pajisje moderne si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për performancën e mirë të personelit shëndetësor, duke siguruar komoditet për pacientët, nisur prej pastërtisë, rregullsisë, ndriçimit, ajrit të klimatizuar e kështu me radhë, e deri tek puna e palodhshme që e bën stafi mjekësor", ka thënë Kurti, raporton Telegrafi.

E konsideruar si një qendër e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve respiratore dhe për mbrojtjen nga tuberkulozi, ky repart i cili vitin e ardhshëm shënon 80-të vjetorin e funksionalizimit, ofron shërbime mjekësore në baza ditore jo vetëm për pacientët nga Prizreni, por edhe për ata nga Suhareka, Rahoveci, Dragashi, Sharri, Malisheva, Mamusha e madje edhe Kukësi i Shqipërisë. /Telegrafi/