Spitali i Pejës pajiset me CT të re 32-shtresore, shërbimet rifillojnë më 1 korrik
Spitali i Përgjithshëm i Pejës është pajisur me një tomografi të re të kompjuterizuar (CT) 32-shtresore, investim ky që pritet të avancojë ndjeshëm shërbimet diagnostikuese për qytetarët e Pejës dhe rajonit.
Përmes një njoftimi zyrtar, drejtuesit e spitalit kanë bërë të ditur se pajisja e re është siguruar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë për pacientët që marrin shërbime në këtë institucion shëndetësor.
"Sot në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ka arritur CT-ja e re 32-shtresore, e siguruar nga SHSKUK-ja. Ky investim i rëndësishëm do të avancojë ndjeshëm shërbimet diagnostikuese, duke mundësuar ekzaminime më të shpejta, më të sakta dhe me cilësi më të lartë për pacientët", thuhet në njoftim.
Sipas spitalit, gjatë ditëve në vijim do të realizohen montimi dhe instalimi i pajisjes, si dhe testimet teknike të nevojshme për funksionalizimin e plotë të saj.
"Gjatë ditëve në vijim do të realizohet montimi dhe instalimi i pajisjes së re, si dhe testimet e nevojshme teknike për vënien e saj në funksion të plotë", bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, qytetarët janë njoftuar se shërbimet e tomografisë së kompjuterizuar me kapacitet të plotë do të rifillojnë nga 1 korriku 2026.
"Njoftojmë qytetarët se shërbimet e tomografisë së kompjuterizuar (CT) me kapacitet të plotë do të rifillojnë nga data 1 korrik 2026, duke ofruar diagnostikim modern dhe më efikas për të gjithë pacientët", thuhet më tej.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës kanë vlerësuar se ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së cilësisë së kujdesit për qytetarët.
"Ky është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për qytetarët e Pejës dhe rajonit", thuhet në njoftim.
Spitali ka shprehur falënderim edhe për institucionet që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.
"Falënderojmë Ministrin e Shëndetësisë, SHSKUK-në dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shëndetësinë publike", përfundon njoftimi. /Telegrafi/


