Please enter at least 3 characters.

Spektakël nga Vini Jr, Brazili triumfon lehtësisht ndaj Skocisë

Kombëtarja e Brazilit ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në Kupën e Botës, duke mposhtur Skocinë me rezultat të thellë 3-0 dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer në fazën e grupeve.

Brazilianët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e tetë. Vinicius Junior përfitoi nga një gabim i madh i mbrojtësit skocez dhe lojtarit të Dinamo Zagrebit, Kieran McKenna, i cili humbi topin gjatë tentativës për të organizuar një aksion nga mbrojtja. Sulmuesi brazilian nuk gaboi përballë portierit dhe realizoi për 1-0.

Vinicius mendoi se kishte shënuar edhe golin e dytë personal në minutën e 23-të, pasi i mori topin Jack Hendry dhe e dërgoi në rrjetë, por pas rishikimit nga VAR-i goli u anulua për faull në sulm.

Megjithatë, ylli brazilian nuk do të mbetej pa golin e dytë. Në minutën e katërt të kohës shtesë të pjesës së parë, Casemiro dërgoi një krosim të saktë në zonë, ndërsa Vinicius realizoi lehtësisht për 2-0.

Brazili ishte pranë golit të tretë para pushimit, por portieri Angus Gunn reagoi mjaft mirë në një situatë një me një ndaj Rayan.

Skocia tentoi të reagojë pas pushimit dhe rrezikoi kryesisht nga goditjet standarde. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 49-të, kur Scott McTominay goditi me kokë nga afërsia, por Alisson ishte në vendin e duhur për të pritur.

Çështja e fituesit u mbyll përfundimisht në minutën e 60-të. Pas një aksioni të bukur kolektiv, Bruno Guimaraes asistoi për Matheus Cunha, i cili realizoi pa vështirësi për rezultatin 3-0.

Portieri Alisson vazhdoi paraqitjen e tij të shkëlqyer edhe në minutën e 64-të, duke ndalur një tjetër goditje të rrezikshme me kokë të McTominay.

Në minutën e 78-të, Neymar u fut në lojë, duke marrë duartrokitje të mëdha nga tifozët e pranishëm. Vinicius humbi mundësinë për të kompletuar tregolëshin një minutë më vonë, ndërsa në fund të ndeshjes edhe Neymar provoi të gjente rrjetën, por u ndal nga Angus Gunn.

Në minutat e fundit, Alisson realizoi edhe një pritje vendimtare ndaj McTominay, duke ruajtur portën e paprekur dhe duke vulosur një fitore të merituar të Brazilit me rezultat 3-0. /Telegrafi/