Please enter at least 3 characters.

Spanja ndëshkon Francën nga penalltia dhe mbyll në epërsi pjesën e parë

Spanja e ka mbyllur në epërsi 1-0 pjesën e parë të gjysmëfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Francës, falë golit të Mikel Oyarzabal nga pika e bardhë.

Francezët e nisën ndeshjen më mirë dhe krijuan disa situata premtuese, me Bradley Barcolan dhe Michael Olisen që ishin ndër më aktivët në fazën sulmuese, por pa arritur të rrezikonin seriozisht portën e Unai Simonit.

Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 20-të, kur Lucas Digne shkaktoi penallti pas një ndërhyrjeje të palejuar në zonë.

Gjyqtari Ivan Barton tregoi menjëherë pikën e bardhë, ndërsa Mikel Oyarzabal u tregua i saktë nga 11 metrat në minutën e 22-të, duke mposhtur Mike Maignanin për 1-0.

Pas golit, Spanja mori kontrollin e lojës dhe iu afrua edhe golit të dytë. Fabian Ruiz pa goditjen e tij të bllokohej në momentin e fundit nga mbrojtja franceze, ndërsa Pedro Porro dhe Dani Olmo provuan nga distanca, por pa gjetur kuadratin.

Nga ana tjetër, Franca e pati të vështirë të krijonte raste të pastra. Kylian Mbappe u kap disa herë në pozicion jashtë loje, ndërsa tentativa më e mirë erdhi nga Bradley Barcola, i cili goditi mbi traversë nga skaji i zonës.

Një goditje për ekipin e Didier Deschamps ishte edhe dëmtimi i William Salibas, i cili u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 30-të dhe u zëvendësua nga Maxence Lacroix.

Kështu, pas 45 minutave të para, Spanja mban avantazhin minimal dhe është 45 minuta larg sigurimit të një vendi në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026./Telegrafi/