Please enter at least 3 characters.

SPAK i sekuestron Belinda Ballukut një tjetër vilë në jug të Shqipërisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) njoftoi se është sekuestruar një tjetër pasuri, që dyshon se është fshehur nga ish-zëvëndëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku.

Balluku dyshohet tashmë edhe për tre vepra të tjera penale: korrupsion pasiv, fshehje dhe deklarim të rremë pasurisë si dhe pastrim të produkteve të veprës penale, më shumë se një herë.

Tre muaj pas sekuestrimit të një vile në një resort turistik në Dhërmi, Gjykata ka vendosur të njëjtën masë edhe për një tjetër vilë familjare në Palasë po në bashkinë Himarë, në jug të vendit.

SPAK-u dyshon se vila familjare që ndodhet në kompleksin “Green Coast”, me një sipërfaqe 478 metra katrorë dhe një vlerë deri në 410 mijë euro është përfituar nga Balluku si shpërblim për favorizimin e një kompanie në një tender prej më shumë se 2.3 miliardë lekësh (25 milionë euro).

Balluku është aktualisht akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, e kryer tetë herë, që ka të bëjë me dy vepra të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, konkretisht ndërtimin e tunelit të Llogarasë në jug të vendit dhe në shtatë rastet e tjera për procedurat e prokurimit për ndërtimin e disa segmenteve rrugore në kryeqytet.

Ajo është gjithashtu akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK thotë se Balluku dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme në lidhje me prokurimin për ndërtimin e lotit të shtatë të Unazës së Jashtme të Tiranës me një fond mbi 2.3 miliardë lekë (25 milionë euro).

“Në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorët ekonomik fitues ‘Alko-Impex General Construcion’ dhe ‘2T’. Në këmbim të favorizimit ka kërkuar dhe marrë nga pronari i kompanisë, Arbër Abazi, një vilë familjare të ndërtuar në kompleksin ‘Green Coast’, Himarë”, thotë SPAK-u.

Prokuroria e Posaçme thotë se për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes, në shumën 250.000 euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.

SPAK thotë se në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”. Vlera e këtij investimi varion nga 288.616 euro deri në 410.526 euro, sipas autoriteteve.

Sipas SPAK-ut, për të fshehur përfitimin nga korrupsioni, ish-zëvëndëskryeministrja Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të tij përmes një kontrate fiktive shitjeje.

Për shkak të detyrës zyrtare, si zëvendëskryeministre dhe ministre, ajo ka qenë e detyruar të deklarojë këtë pasuri dhe hetimet, sipas SPAK-ut, kanë treguar se për ta shmangur këtë, Balluku e ka fshehur duke e kaluar në pronësi të Igli Tares.

SPAK gjithashtu bën të ditur se dyshohet për “korrupsion aktiv” pronari i kompanisë që përfitoi procedurën për ndërtimin e një pjesë të unazës së Jashtme të Tiranës, Arbër Abazi.

Ndërsa Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Igli Tare është ish-futbollist i Kombëtares shqiptare dhe ish-drejtor sportiv i ekipeve italiane Lazio dhe Milan.

Pas këtyre fakteve të reja, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sekuestrimit të vilës me sipërfaqe 478 metër katrorë në Himarë.

Në qershor, Gjykata vendosi masë preventive të sekuestrimit ndaj një vile të Ballukut në një resort turistik në Dhërmi, me vlerë rreth 145 mijë eurosh. Prokurorët dyshojnë se kjo pronë mund të jetë përfituar përmes favoreve ndaj një kompanie ndërtimi.

Në korrik të këtij viti, SPAK e thirri Belinda Ballukun për ta njohur me akuzën “shkelje të barazisë në tenderë” për dy procedura prokurimi: ndërtimin e tunelit të Llogarasë në jug të Shqipërisë, me vlerë rreth 200 milionë eurosh si dhe për ndërtimin e lotit të katërt të Unazës së Madhe të Tiranës në vlerën 22 milionë eurosh. Balluku i ka mohuar akuzat dhe çdo shkelje të ligjit.

Në tetor 2025, pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Në dhjetor të atij viti, SPAK-u i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut për të mundësuar arrestimin e saj. Por, kërkesa nuk mori votat e nevojshme, pasi deputetët socialistë votuan kundër.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shkarkoi Ballukun nga detyra në shkurt të vitit 2026.