Please enter at least 3 characters.

Sonte përballja e madhe: Kristian Prenga sfidon Anthony Joshuan në Arabinë Saudite

Boksieri shqiptar, Kristian Prenga ngjitet në ring për duelin më të rëndësishëm të karrierës, ku përballë do të ketë ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.

Gjithçka është gati për një nga meçet më të shumëpritura të vitit në boks. Prenga do të përballet sonte (e shtunë) me Joshuan në një sfidë që pritet të tërheqë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.

Meçi do të zhvillohet në Jeddah të Arabisë Saudite, me fillim nga ora 22:00, ndërsa për Prengën kjo përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës për t'u përballur me një nga emrat më të njohur të boksit profesionist.

Boksieri shqiptar ka shfaqur besim të madh në prag të përballjes, duke deklaruar se ka punuar gjithë jetën për këtë moment dhe se është gati t'i tregojë botës vlerat e tij në ring.

Në anën tjetër, anglezi Joshua synon të konfirmojë statusin e tij si një prej peshave të rënda më dominuese të epokës moderne.

Të gjithë sytë do të jenë sonte te ringu në Jeddah, ku Prenga do të kërkojë të shkruajë historinë përballë një kundërshtari që konsiderohet një nga boksierët më të mëdhenj të viteve të fundit. /Telegrafi/