Please enter at least 3 characters.

Sondazhet në Izrael – kush do të fitojë mes Netanyahut dhe Bennettit

Epoka politike e Benjamin Netanyahut mund të përfundojë që në vitin 2026, ndërsa në skenën politike të Izraelit po forcohet gjithnjë e më shumë ish-kryeministri Naftali Bennett si një nga alternativat kryesore për drejtimin e ardhshëm të vendit.

Netanyahu, i cili ka qenë një nga figurat më dominuese të politikës izraelite për dekada, po përballet me një konkurrencë gjithnjë e më të fortë në prag të ciklit të ri zgjedhor, në një periudhë të shënuar nga tensione të brendshme politike, sfida të sigurisë dhe polarizim të thellë shoqëror.

Sondazhet më të fundit për zgjedhjet e vitit 2026 tregojnë një garë thuajse të barabartë mes Netanyahut dhe Bennett-it, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm në balancat e pushtetit në Izrael.

Kjo afërsi në matjet e opinionit publik shihet nga analistët si një tregues i rishpërndarjes së mbështetjes politike dhe i rritjes së lodhjes së elektoratit me status quo-në.

Paralelisht, edhe tregjet e parashikimeve politike po pasqyrojnë këtë garë të ngushtë. Në platformën Polymarket, ku përdoruesit investojnë para reale mbi rezultatet e ngjarjeve politike, diferenca mes dy kandidatëve është minimale: Naftali Bennett vlerësohet me 40 për qind, ndërsa Benjamin Netanyahu me 39 për qind, duke e bërë garën praktikisht të hapur.

Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Izrael janë planifikuar zyrtarisht për 27 tetor 2026, por nuk përjashtohet mundësia që ato të mbahen më herët në rast se Knesseti shpërndahet para kohe.

Një skenar i tillë do t’i çonte qytetarët izraelitë në kutitë e votimit që në fund të verës ose në fillim të vjeshtës, duke përshpejtuar edhe më shumë përballjen politike për drejtimin e vendit. /Telegrafi/