Sinner triumfon në Roma Masters dhe bëhet italiani i parë që fiton titullin në 50 vjet
Jannik Sinner e fitoi sot Roma Masters, pasi e mposhti Casper Ruud, duke u bërë italiani i parë që triumfon në këtë turne që nga Adriano Panatta, 50 vjet më parë.
Tenisti numër një në botë e fitoi finalen në fushën e kuqe të “Foro Italico” me rezultat 6:4, 6:4. Me këtë sukses, ai u bë vetëm lojtari i dytë pas Novak Djokovicit që ka fituar të nëntë turnetë e serisë Masters 1000, garat më të mëdha jashtë turneve Grand Slam.
Sinner, tash 24 vjeç, në prag të Roland Garros është në formë të shkëlqyer, ndërsa rivali i tij kryesor, Carlos Alcaraz, aktualisht është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës së djathtë.
Me fitoren në Romë, italiani e zgjeroi serinë e tij në 29 triumfe radhazi. Humbjen e fundit e ka pësuar më 19 shkurt, kur Jakub Mensík e ndali në çerekfinale të Qatar Open.
Sinner ka bilanc 17-0 në fushën e baltës këtë sezon dhe me këtë formë e pret French Openin, i cili nis të dielën e ardhshme.
Jannik Sinner completes Career Golden Masters 👑 pic.twitter.com/mdXwbDOmp0
— Sky Sports (@SkySports) May 17, 2026
Në finalen e turneut për femra, titullin e fitoi një ditë më parë Elina Svitolina, e cila e mposhti Coco Gauff. /Telegrafi/


