Sindikata e Re e KEK-ut ngre shqetësime për kushtet e punëtorëve
Sindikata e Re e KEK-ut ka ngritur shqetësime për gjendjen e punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke kërkuar më shumë vlerësim dhe trajtim të drejtë për punonjësit.
Kryetari i kësaj sindikate, Xhelal Jashari, së bashku me Kryesinë, kanë deklaruar se punëtorët e KEK-ut vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira dhe me rrezik të lartë, duke qenë të ekspozuar ndaj gazrave, pluhurit dhe rreziqeve të përditshme në vendin e punës.
Në njoftimin e sindikatës thuhet se shqetësime mbeten pagat e pamjaftueshme, mosrealizimi i pushimeve vjetore, mos përfshirja e punëtorëve në pagën e 13-të, kompensimi i ulët për shujtat ushqimore, si dhe mungesa e nivelizimit të drejtë të pagave për punëtorët, inxhinierët dhe ekspertët.
Sindikata ka theksuar se punëtorët e KEK-ut meritojnë dinjitet, respekt dhe vlerësim për kontributin e tyre në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës. /Telegrafi/


