Simptomat e nivelit të ulët të testosteronit
Reduktimin e testosteronit e shkakton shfaqja e shumë simptomave, ndërsa mund të vijë edhe deri te komplikimet. Simptomat e nivelit të ulët të testosteronit shpesh keqinterpretohen si shenja të procesit të plakjes.
Çka është niveli i ulët i testosteronit? - Niveli i ulët i testosteronit diagnostikohet kur niveli i testosteronit është më i ulët se 300 nanogramë në 1 decilitër.
Andropauza, reduktimi i prodhimit të testosteronit në njëfarë mënyre mund të krahasohet me menopauzën tek femrat. Dhe derisa femrat ndiejnë rënien drastike të nivelit të estrogjenit në moshë të caktuar, te meshkujt rënia e nivelit të testosteronit ndodh gradualisht. Nëse rënia e nivelit të testosteronit ndodh më shpejt se sa duhet, vjen deri te shfaqja e një vargu të simptomave.
Dëshira e zvogëluar për seks. - Testosteroni luan rol kyç në libidon e meshkujve. Me kalimin e viteve shumica e meshkujve ndien zvogëlimin e dëshirës seksuale. Te meshkujt me nivel të ulët të testosteronit, reduktimi i dëshirës seksuale ndodh papritmas dhe vërehet më së shpeshti. Gjatë marrëdhënies seksuale, niveli ulët i testosteronit mund të vështirësojë arritjen e orgazmës.
Vështirësitë në arritjen e ereksionit. - Testosteroni nxit dëshirën seksuale dhe ereksionin. Edhe pse testosteroni nuk është i vetmi përgjegjës për arritjen e ereksionit, ai stimulon receptorët e trurit për të prodhuar molekula që nxisin ereksionin. Niveli i ulët i testosteronit mund të shkaktojë gjendje të ndryshme që vështirësojnë arritjen e ereksionit, duke përfshirë trashjen, diabetin dhe arterosklerozën.
Vëllimi i ulët i spermës. - Testosteroni luan rol të rëndësishëm në prodhimin e farës, lëngut që ndihmon në lëvizshmërinë e spermës. Është shumë e thjeshtë: sa më e lartë të jetë shkalla e testosteronit, prodhimi i spermës po ashtu është më i madh. Meshkujt me shkallë të ulët të testosteronit kryesisht vërejnë reduktimin e vëllimit të spermës gjatë ejakulimit.
Rënia e flokëve. - Testosteroni është përgjegjës për një numër të madh të funksioneve trupore, duke përfshirë rritjen e fijeve të flokut. Humbja e flokëve është pjesë natyrore e plakjes për shumë meshkuj. Megjithatë, meshkujt me nivel të ulët të testosteronit mund të vërejnë humbjen e qimeve në zonën e fytyrës dhe trupit, dhe jo vetëm në kokë.
Lodhja dhe mungesa e energjisë. - Meshkujt me nivel të ulët të testosteronit ndihen shumë të lodhur dhe me shumë më pak energji. Nëse shumicën e kohës jeni të lodhur, pavarësisht sasisë së gjumit, ose keni vërejtur që e keni më vështirë të lëvizni apo të motivoheni për ushtrime, është e mundshme që bëhet fjalë për nivel më të ulët të testosteronit.
Rritja e përqindjes së yndyrave në trup. - Nëse reduktimi i masës muskulore nuk paraqet problem duhet të kujdeseni për rritjen e përqindjes së yndyrave në trup. Edhe pse shkencëtarët ende nuk kanë zbuluar arsyen e saktë, supozohet që po ashtu bëhet fjalë për reduktimin e nivelit të testosteronit në trup. Kështu, muskujt e fortë do të djegin yndyrat dhe kaloritë madje edhe në gjendje të relaksimit. Prandaj, nëse masa muskulore reduktohet, do të reduktohet edhe djegia e yndyrave dhe kalorive, çka shkakton rritjen e përqindjes së yndyrave në trup.
Reduktimi i masës eshtërore. - Osteoporoza është gjendje për të cilën konsiderohet që shfaqet vetëm tek femrat. Megjithatë, meshkujt me nivel të ulët të testosteronit po ashtu mund të vërejnë dobësimin e eshtrave. Testosteroni është i rëndësishëm për ndërtimin dhe forcimin e indit eshtëror. Meshkujt të cilët me vite kanë nivel të ulur të testosteronit kanë rrezik më të madh nga fraktura e eshtrave, veçanërisht në zonën e ijëve, këmbëve dhe brinjëve.
Ndryshimet në disponim. - Femrat kryesisht vërejnë ndryshime të shpeshta të disponimit gjatë menopauzës, kur në trupin e tyre bie niveli i estrogjenit. Meshkujt me nivelin e ulët të testosteronit ndiejnë simptoma të ngjashme. Testosteroni merr pjesë në funksione të ndryshme trupore dhe ruajtjen e shëndetit të pjesëve të ndryshme të trupit duke përfshirë edhe shëndetin psikik. Shkencëtarët kanë konstatuar që meshkujt me nivel të ulët të testosteronit kanë rrezik më të lartë nga krijimi i depresionit dhe mungesa e koncentrimit.
/Telegrafi/


