Please enter at least 3 characters.

“Sillu, sillu botë e vjetër”!?

*** Statusi kolonial i shqiptarëve dhe i Kosovës Lindore nuk mund të zgjidhet, duke e ndërlidhur me zgjidhjen e “problemit” minoritar të kolonëve serbë në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht përmes shitjes Serbisë territorin e Kosovës Veriore të Shqipërisë Etnike. Për këtë lloj tregtimi të territorit shqiptar në llogarit të Beogradit, Kosova Lindore, as Veriore, as Perëndimore e as Jugore, nuk ka nevojë, që të hapet kurrfarë “Kutie e pandorës”! Një gjë të këtillë me pasoja katastrofike për interesin e përgjithshëm kombëtar, territorial dhe shtetëror të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, mund ta ëndërrojnë vetëm fatalistët, që nuk kanë lidhje as me politikën e as me dialektikën e ekzistencës që qenies shqiptare në Ballkan.

Pra, është e domosdoshme, që të hapet “Kutia e pandorës”, por vetëm në shkallë gjithëkombëtare të Shqipërisë Etnike të zgjidhjes së tërësishme (në pako) të kauzës kombëtare shqiptare në Ballkan, e jo, kurrsesi, sipas tezës kundërproduktive politike të “këmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë” të Dana Rohrabacher-it në kurriz të territorit etnik të Kosovës shqiptare, sepse në këtë rast(në saje të “hapjes së Kutisë së pandorsë” së Dana Rohrabacher-it), Serbia do të fitonte pa asnjë lekë territorin e Kosovës Veriore, kurse Kosova vetëm NJË ZERO TË MADHE!

Ky do të ishte kundërefekti negativ politik dhe praktik i hapjes së rastësishme të “Kutisë së pandorës”!!!

“Kutia e pandorës”, duhet të kërkohet të hapet, por vetëm atëherë, kur të gjithë shqiptarët, ta kenë ndërtuar dhe, ta kenë miratuar unanimisht Platformën e përbashkët strategjike politike dhe kombëtare për zgjidhjen e çështjes koloniale shqiptare në shkallë të tërësisë territoriale, etnike, historike, dhe gjeopolitike dhe shtetërore të Shqipërisë Etnike në Ballkan, duke përfshirë Kosovën, Anamoravën, Iliridën, Çamërinë dhe Malësinë e Madhe, ashtu siç parashikon Platforma e Shqipërisë natyrale, e shkruar nga Koço Danaj, por duke mos lënë asnjë vilajet shqiptar, jashtë kufijve natyrorë dhe etnikë të Shqipërisë Etnike.

Ky do të ishte efekti pozitiv politik, kombëtar dhe ndërkombëtar i hapjes së “kutisë pandorës”! Ndryshe, jo!

Të mos vetëmashtrohemi se, asgjë të re nuk është duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor: “ As su nis, as su kris, as su hap, as su përflak, as su përmbyll”! –Krejt me të vjetra! Derisa politikat zyrtare shqiptare, tanimë, janë të kënaqura dhe të stërkënaqura me bilancin pasiv të rezultateve të tyre gjysmake politike dhe kombëtare, Ballkani do të flejë i qetë dhe i patrazuar, sepse, siç po duket votuesit shqiptarë të këtyre politikave, qe 20 vjet rresht kanë dëshmuar kënaqësinë dhe pajtueshmërinë e vet për mosndryshimin e statu quo-s së tyre koloniale.

Por Kosova më nuk është koloni e Serbisë, as “monedhë kusuri” e tezave, e projektideve, e projektpropozimve të huaja, as të brendshme private as zyrtare, që thërrasin për ndarjen dhe copëtimin e saj, por është nën mbrojtjen e sigurt dhe të çelikt ekonomiko-politike, ushtarake dhe strategjike të Amerikës, të NATO-së dhe BE-së, që me 17 Shkurt 2008, tërë Ballkanit, Evropës dhe botës i deklaruan se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e pandashme!

Të gjithë ata, që do të ,mësyjnë për të prishur dhe përmbysur këtë realitet të Kosovës së pavarur dhe të pandashme, do të digjen më zi e më keq, sesa Iraku i Sadam Huseinit më 1991, si rrjedhim i copëtimit dhe i pushtimit të Kuvajtit! Prandaj, larg duart nga Kosova e pavarur dhe e pandashme!

Ndaj, edhe shakaxhinjtë e politikës ditore të tregjeve të ndryshme me “çmime të lira” të hapësirave të Shqipërisë Etnike dhe në diasporë, parapëlqehet që të përmbahen nga telendisja dhe improvizimet e tyre suplementare me çështjet serioze dhe jetike kombëtare shqiptare, duke “bombarduar” dhe kontaminuar ambientin politik kombëtar dhe ndërkombëtar në “stilin e lirë” të tyre: “U nis, krisi te lisi, u hap, do to hapet, pse të mos hapet...” etj., sepse as nuk u nis, as nuk kris e as nuk u hap, sepse më 17 shkurt 2008 çdo gjë është mbyllur në mënyrë solemne dhe frenetike për sa i përket statusit politik të Kosovës.

Statuti shtetëror i Kosovës, do të diskutohet vetëm atëherë, kur qeveria dhe parlamenti i Kosovës, të marrin vendimin historik të njëzëshëm për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vetëm në këtë kontekst, ekziston mundësia reale, që të debatohet edhe për fatin e statusit të Kosovës Lindore si pjesë e pandashme natyrale, historike dhe gjeopolitike e Shqipërisë Etnike.

Ndryshe, çdo kalkulim tjetër mashtrues dhe manipulues për të bërë tregti me territorin e Kosovës Lindore, në emër të njohjes së drejtës së vetëvendosjes së minoritetit serb dhe të Serbisë mbi territorin etnik dhe shtetëror të Kosovës së Shqipërisë Etnike, kinse si “shpërblim” për ribashkimin e Kosovës Lindore me Shqipërinë Etnike, do t’iu kushtonte shumë shtrenjtë jo vetëm shqiptarëve, por edhe edhe faktorëve politikë ndërkombëtarë, të pranishëm në Kosovë, përkatësisht në Ballkan, sepse, patjetër, do të vinte deri te shpërthimi i luftës me përmasa rajonale, evropiane, dhe më gjerë.

Ndaj, si për palën shqiptare, ashtu edhe për Washingtonin zyrtar, nuk është e pranueshme, racionale e as pragmatike, teza private e kongresmenit Dana Rohrabacher, e cila, post festum, në mënyrë sfiduese ( krejtësisht private, nuk ka asnjë lidhje me qëdnirmin dhe me pikëpamjet e politikës zyrtare të qeverisë amerikane, kur është fjala për Kosovën) sugjeron copëtimin dhe ndarjen e territorit të Kosovës, në emër të njëfarë këmbimi të imagjinuar dhe të fantazuar të dy territoreve të ndryshme serbe – shqiptare).

Teza e Dana Rohrabcher-it për “këmbimin e territorit” nuk është fare e re. Ndaj, as për t’u diskutuar, sepse kjo nuk është aktuale, as me kurrfarë interesi për palën shqiptare, as për Amerikën e as për BE-në, në asnjë aspekt dhe, në asnjë segment të përmbajtjes së saj. Me një fjalë, kjo tezë është e tejkaluar për të gjitha palët e involvuara në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Kjo tezë proserbe vërvitet si fantazmë ndjellakeqe për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës, që në vitet e 80-ta dhe të 90-ta të shekullit XX, kur për her të parë, është lansuar nga akademikët serbomëdhenj: Dobrica Qosiq, Aleksandar Despiq, Milorad Ekmeçiq etj. të Serbisë.

Ndërkaq, nga ana e politikës shqiptare, është lansuar në vitin 2007 nga ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës, Dr.Bajram Rexhepi, i cili ka deklaruar se “ në qoftë se bashkësia ndërkombëtare impnon ndarjen e Kosovës, atëherë, pjesa veriore e Kosovës, duhet të këmbehet me Luginën e Preshevës.” (infopress-prishtina dhe fonet, 13 gusht 2007).

Si konkluzion, që të trija këto teza (ajo serbe, ajo e Dana Rohrabcher-it dhe, ajo e Dr. Bajram Rexhepit), tanimë, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Amerikës dhe e BE-së, kanë rënë në ujë si të pavlefshme, sepse si për Prishtinën zyrtare, ashtu edhe për Uashington e Brukselin zyrtar, tanimë, është mbyllur kaptina historike, politike, diplomatike dhe juridike ndërkombëtare e zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës.

Tezë stereotipi dhe e tejkaluar-jashtë kohe!

Nuk është e çuditshme e as sensacionale teza për “këmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë” e kongresmenit amerikan, Dana Rohrabacher-it, sepse kjo është tezë e vjetër në skenën politike dhe propagandsitike serbo –shqiptare, që nga vitet e 80-ta të shekullit XX, pas shpërthimit të Revolucionit studentor në Prishtinë më 1981, kur Kosova kërkonte pavarësi dhe shkëputje nga Serbia kolonialiste.

Për të bllokuar, përkatësisht për të “vrarë” këtë kërkesë të ligjshme, që Kosova të fitonte të drejtën e vetëvendosjes si shtet i lirë dhe sovran, shteti, akademia dhe kisha ortodokse serbe, projektuan lloj-lloj variantesh strategjike dhe taktike për ta pushtuar Kosovën shqiptare qoftë si tërësi, apo qoftë ndonjë pjesë të territorit të saj. Si rrjedhim, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë (me kryeshovinistët dhe regresistë e saj Dobrica Qosiq, Antonije Isakoviq, Vasilije Krestiq, Milorad Ekmeçiq, Matija Beçkoviq, Mihailo Markoviq, Aleksandar Despiq...etj.) në vitin 1986 nxori Memorandumin e saj, në kuadrin e së cilit trajtohej edhe “zgjidhja e çështjes” së Kosovës vetëm në kuadrin e Serbisë së Madhe kolonialiste dhe hegjemoniste, ashtu siç veproi politika policore, militariste dhe paramilitare e regjimit gjenocidal të Serbisë së Slobodan Milosheviqit në Kosovës (1989-1999).

Duhet ta rikujtojmë opinion publik vendor dhe atë ndërkombëtar se, qysh në dekadën e parafundit të shekullit XX, në agjendën strategjike shtetërore, kishtare dhe intelektuale politike, shkencore, publicistike dhe informative të Serbisë, është e pranishme dhe tejet aktuale “karta” politike e Boegradit për “këmbimin”-ndarjen-copëtimin e territorit integral të Kosovës së Shqipërisë Etnike, si opcion të fundit, nëse Serbia, do të falimentojë në përpjekjet e saj për “rikthimin” e tërë Kosovës nën sovranitetin kolonial shekullor.

Mirëpo, duke qenë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur (17 shkurt 2008), shpresat, iluzionet dhe spekulimet politike, propagandistike dhe diplomatike të Serbisë, duke u mbështetur gjithnjë në ndihmën kryesore të Rusisë, që Kosovën shqiptare, ta “rikthejnë nën sundimin kolonial shekullor” të saj, janë vetëm një utopi e shkretë dhe e parealizueshme.

Mirëpo, derisa Mitrovica Veriore, përkatësisht Kosova Veriore, të mos rikthehet nën jurisdiksionin e plotë ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, administrativ dhe territorial, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2009), ekziston rreziku permanent nga Serbia dhe nga qarqet e caktuara evropiane dhe ndërkombëtare, që të vihet në “rend dite” copëtimi dhe ndarja e territorit Verior të Kosovës, duke përfshirë edhe gjysmën e qytetit të Mitrovicës, që i përket tërësisë territoriale të Kosovës së Shqipërisë Etnike.

Arsyet përgënjeshtrimit të tezës së “këmbimit të territoreve” shqiptare-shqiptare, janë këto:

1. Problemi kolonial i Kosovës Lindore nuk daton vetëm pas 17 shkurtit të vitit 2008, kur Kosova njihet ndërkombëtarisht nga ana e Amerikës dhe nga ana BE-së, por që nga viti 1878, kur Serbia me luftë dhe me terror gjenocid i spastroi etnikisht të gjitha territoret e tjera shqiptare të Anamoravës së Shqipërisë Etnike. Mirëpo, megjithatë, regjimet kolonizuese militariste të Serbisë së Madhe (1878-2009) nuk ia arritën që përfundimisht, t’i asimilojnë, t’i zhdukin dhe t’i fshijnë nga faqja e dheut të Shqipërisë Etnike edhe shqiptarët e sotëm të Preshevës, të Bujanocit dhe Medvegjës, edhe pse si regjimi i Tiranës dhe i Prishtinës, ashtu edhe BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, edhe në këtë njëzetvjeçar (1989-1999), ata i sakrifikuan duke i lënë prapë nën sundimin dhe nën sovranitetin kolonial të Serbisë pushtuese.

1. Duke mbajtur parasysh statusin kolonial të shqiptarëve të Preshevës, të Bjanocit dhe të Medvegjës (1878-2009), edhe Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar me bazë dhe me arsye të plotë e hedhë poshtë si të pavlefshme tezën e Dana Rohrabakerit, sepse është e pazbatueshme për njohjen e vetëvendosjes së Kosovës Lindore, duke qenë se këtë autori i saj e ka njëjtësuar dhe kushtëzuar me njohjen e së drejtës së vetëvendosjes së minoritet kolon serb në Kosovën Veriore, që i përket territorit integral të Shqipërisë Etnike, jo Serbisë kolonialiste, në asnjë mënyrë.

2. Meqenëse nga përmbajtja e idesë sugjeruese të kongresmenit të nderuar amerikan Dana Rohrabar, del se nuk kemi të bëjmë me këmbimin e dy territoreve të ndryshme (serbe – shqiptare), por fjala është vetëm për tregtimin e territorit autokton shqiptar-shqiptar në Veri dhe në Lindje të Kosovës së Shqipërisë Etnike. Si rrjedhojë, nuk mund të pranohet nga pala shqiptare, kjo tezë e njëanshme me përmbajtje proserbe, që është tërësisht në funksion të ndarjes dhe të copëtimit (jo të kurrfarë këmbimi të dy territoreve të ndryshme) të territorit etnik të Kosovës së Shqipërisë Etnike.

3. Është e papranueshme kjo tezë e Dana Rohrabakerit, sepse popullorqe, kjo do të thotë “Mbath gjogun e dath dorin”- shite Veriun (pjesën më të pasur me minerale: ari, argjend, plumb, zink, bakër, kallaj etj. nga e cila varet jo vetëm Kosova, por tërë ekzistenca ekonomike, materiale dhe financiare e Shqipërisë Etnike), e riktheje Lindjen e Kosovës, e cila ekonomikisht në asnjë aspekt nuk mund të krahasohet me pjesën Veriore të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike.

4. Teza e theksuar ka karakter proserb, sepse sugjeron njohjen e së drejtës së vetëvendosjes së minoritetit kolon serb dhe të sovranitetit territorial administrativ dhe shtetëror të Serbisë mbi Kosovën Veriore të Shqipërisë Etnike.

5. Teza e Z. të nderuar ka karakter proserb mbase përputhet plotësisht me tezën, me qëndrimet dhe me pikëpamjet e Beogradit zyrtar në kontestimin dhe në mohimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana SHBA-ve dhe e BE-së, duke sugjeruar se problemi i Kosovës ende nuk është zgjidhur përfundimisht. Kjo do të thotë se kongresmeni Dana Rohrabaker (post festum) është rikujtuar se, statusi politik i Kosovës, duhet të rikthehet për rinegociata në tryezën e gjelbër diplomatike të qendrave dhe të faktorëve të vetëvendosjes evropiane dhe ndërkombëtare, duke aluduar post festum se është “dëmtuar” pala serbe dhe Serbia..

Në kuptim edhe më intensiv dhe më ekstensiv të politikës dhe të diplomacisë evropiane dhe ndërkombëtare, kjo do të thotë se Amerika dhe Bashkimi Evropian (BE-ja) me në krye emisarin special ndërkombëtar të OKB-së, Marti Ahtisari, janë ngutur në njohjen e pavarësisë së Kosovës, pa dhënien e pëlqimit të Serbisë.

6. Kjo tezë assesi nuk mund të jetë objekt debatimi, as polemizimi për strukturave politike qeveritare dhe joqeveritare shqiptare, sepse është jashtë kohe, jashtë realizmit politik dhe pragmatik, që pikësëpari bie ndesh me të drejtën historike dhe me të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve mbi territorin e tyre vendës të Shqipërisë Etnike.

7. E drejtë e çdo shqiptari dhe e çdo subjekti politik shqiptar është që të merret me analizën e tezës së Z. të nderuar Dana Rohrabaker (ta hudhë poshtë apo ta mbështetë si të tillë), por askush nuk e ka atë drejtë ekskluzive dhe monopolizuese (as individi, as grupet politike të interesit, as partitë, as lëvizjet, as frontet e as titullarët e tyre), që opinionet dhe tezat e tyre konstatuese në favor të mbrojtjes së tezës së gabuar të Dana Rohrabakerit, të ua imponojnë të tjerëve dhe opinionit të gjerë publik shqiptar, si të “vetmin kualifikim të drejtë dhe të pranueshëm” të “punëtorisë” së tyre politike të njëanshme dhe subjektive, duke i diskualifikuar dhe zhvlerësuar konstatimet e drejta të analistëve dhe të ekspertëve të njohur të politikës dhe të diplomacisë shqiptare, që me të drejtë dhe me argumente të qëndrueshme diagnostifikimi historik, politik, juridik dhe moral kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë hedhur poshtë si plotësisht të gabueshme dhe të papranueshme tezën sugjeruese të Z. Dana Rohrabakerit, e cila politikën shqiptare e apostrofon, që të përgatit për ndonjë “bishtbisedim historik” me Serbinë për “këmbimin” e territorit shqiptar-shqiptar. –Jo, për këmbimin e dy territoreve të ndryshme, ashtu siç është deklaruar kongresmeni amerikan Dana Rohrabaker në intervistën e tij, dhënë gazetarit të “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, më 1 gusht 2009.

8. Gjithashtu, politika dhe propaganda shqiptare, duhet ta çmojë lart dhe ta mbështetë me guxim dhe, pa asnjë rezervë zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe të Kryesisë së Kosovës, Hashim Thaçin (kryeministër), Fatmir Limajn (ministër) dhe Fatmir Sejdiun (kyetar), të cilët në prononcimet e tyre zyrtare në mënyrë të prerë kanë hedhur poshtë si të dëmshme dhe të papranueshme tezën sugjeruese të kongresmenit amerikan Dana Rohrabaker për “këmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë”.

9. Po ashtu, duhet falënderuar dhe mbështetur parezervë edhe vlerësimi i peshuar i ambasadorit austriak Wolfgang Petrich në hedhjen e poshtë të tezës së theksuar të Dana Rohrabakerit, e cila, sipas konstatimit konkludues të ambasadorit austriak, më shumë do të shkaktonte dëm sesa dobi për palët në konflikt. Po qe se një tezë e tillë, do të vinte në shprehje, çdo gjë do të fillonte nga e para si për Kosovën, ashtu edhe për të gjithë shqiptarët në Ballkan.

10. Gjithashtu me vetëdije të lartë kombëtare dhe atdhetare shqiptare, duhet t’i mbështetim dhe, njëherazi të solidarizohemi dhe të bashkohemi pa paragjykime dhe pa asnjë rezervë, me të gjitha ato forca dhe subjekte politike qeveritare dhe joqeveritare, pozicionale dhe opozicionale, si dhe me të gjitha ato subjekte intelektuale të pavarura, që janë deklaruar botërisht kundër tezës së pavlefshme dhe të papranueshme të Dana Rohrabakerit, që pa kurrfarë të drejte përligj ndarjen, copëtimin dhe tregtimin e integritetit territorial të Kosovës së Shqipërisë Etnike.

11. Pavarësisht nga na vijnë diktatet dhe ultimatumet, kurrë nuk duhet t’i pranojmë tezat, idetë, propozimet dhe sugjerimet e huaja apo të brendshme politike me përmbajtje negative dhe armiqësore, që nën maskën e ndonjë “këmbimi territorial” midis Serbisë dhe Kosovës, diktojnë ndarjen, copëtimin dhe tregtimin e territorit etnik të Kosovës, si pjesë e pandashme e Shqipërisë Etnike.

12. Gjithmonë, duhet të jemi vigjilentë dhe të vetëdijshëm , që të mos ushqehemi dhe, të mos grindemi me teza të huaja dredharake dhe tinëzare antishqiptare, por të mbështesim fuqishëm dhe me tërë potencialin tonë gjithëkombëtar shqiptar të drejtën historike dhe të ligjshme të popullit shqiptar të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, që t’i bashkohet Shqipërisë Etnike. Vetëm realizimi i së drejtës së vetëvendosjes së tyre, do t’i shpëtonte nga çizmja e hekurt kolonialiste dhe imperialiste shekullore e Serbisë së Madhe. Ndërkaq, tezat dhe formulat e tjera, që sugjerojnë dhe urdhërojnë ndarjen dhe copëtimin e Kosovës së Shqipërisë Etnike, janë për ata konsumatorë, të cilët e kanë gjetur interesin vetjak në “shpëtimin” e tyre, jo të Kosovës Lindore, as të Kosovës Veriore të Shqipërisë Etnike.

Gjithashtu, janë të papranueshme dhe irracionale përpjekjet e të gjitha atyre subjekteve të spektrit politik shqiptar, që këmbëngulin në mbrojtjen dhe në jusitifkimin e tezës për “këmbimin e territorit midis Kosovës dhe Serbisë” të Dana Rohrabakerit, sepse, në këtë mënyrë, vetvetiu e mohojnë përcaktimin dhe orientimin e tyre ideologjik dhe politik të identitetit të bashkimit kombëtar shqiptar.

Gjithashtu, duhet të jemi kategorikë në vlerësimet dhe në vendimet tona politike dhe kombëtare, që shqiptarët, të mos merren me teza të huaja boshe spekuluese propagandistike, që para së gjithash kanë qëllim dhe karakter përçarës të skenës politike kombëtare shqiptare , si dhe janë në interes të serbëve dhe të Serbisë në kurriz të territoreve shqiptare dhe të Shqipërisë etnike, por të krijojnë tezat e veta origjinale kombëtare shqiptare, që sa më parë do të na çonin drejt krijimit dhe bashkimit të shtetit kombëtar shqiptar-Shqipërisë etnike në Ballkan.

Nuk duhet të ndjekim rrugën e gabuar dhe prirjet falimentuese dhe vetëmohuese të atyre politikave dhe të politikanëve të dështuar kosmopolitë dhe postmodernistë, të cilët gjatë historisë së derisotme u kanë ndërtuar shtete dhe përmendore lavdie vetëm të huajve, kurse shqiptarët i kanë lënë nën hijen dhe nën përmendoret e zeza të robëruesve dhe të pushtuesve të huaj kolonialistë, sepse nuk kanë pasur kohë të merren me vetveten, por me teza dhe me formula të huaja antishqiptare.

Ky është çmimi i verbërisë, i padrejtësisë, i përçarjes dhe i copëtimit të kombit dhe të atdheut, të cilin, edhe sot në fillimshekullin 21, janë duke e paguar me çmim shumë të shtrenjtë shqiptarët e kolonizuar dhe të skllavëruar, të mbetur nën Serbi, nën “Maqedoni”, nën Mal të Zi dhe nën Greqi, për shkak të diletnatëve politikë, të cilët, në vend se t’i bëjnë politikë armikut, ata i bëjnë politikë shqiptarit.

Këtë shembull të teorisë dhe të praktikës së hidhur të politikës negative antishkolonizim, antibashkim dhe antipavarësim të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, e dëshmon edhe rasti më i ri dhe absurd, i dramatizuar i mbështetjes diletanteske dhe të papeshuar gjithanshmërisht të tezës së “këmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë” të kongresmenit amerikan Z.Dana Rohrabaker.

Asnjë "Kuti e pandorës" nuk mund të hapet me tregtimin e territorit të Kosovës Veriore! Këtë duhet ta kenë të qartë, të gjithë ata që i mbështesin tezat e huaja mbi ndarjen dhe copëtimin e tërësisë territoriale të Kosovës-Shqipërisë Etnike, në emër, dhe për hir të ndonjë "këmbimi territorial", të projektuar sipas Dana Rohrabacher-it!