Siguria në trafik gjatë verës: Rreziqet që shtohen në rrugë dhe si duhet vepruar në rast aksidenti
Nga lodhja dhe alkooli te shpërqendrimi, gjendja e automjetit dhe ndihma e parë – çfarë duhet të dijë çdo drejtues mjeti për një udhëtim më të sigurt
Prof. ass. Isuf Bajrami
Spec. i Mjekësisë Urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente, Prishtinë
Muajt e verës sjellin trafik të shtuar në rrugët e Kosovës për shkak të pushimeve, udhëtimeve turistike dhe ekskursioneve më të shpeshta.
Numri më i madh i automjeteve, udhëtimet e gjata, kolonat dhe temperaturat e larta rrisin ngarkesën për shoferët dhe e bëjnë trafikun më të kërkuar për të gjithë pjesëmarrësit.
Në këto kushte rritet edhe rreziku i aksidenteve, sidomos kur janë të pranishme lodhja, mungesa e vëmendjes dhe shpejtësia e papërshtatshme.
Aksidentet rrugore – problem i urgjencës mjekësore dhe i shëndetit publik
Aksidentet rrugore në Kosovë përfaqësojnë një problem të rëndësishëm të urgjencës mjekësore dhe të shëndetit publik. Ato janë ndër shkaqet kryesore të lëndimeve dhe vdekshmërisë, veçanërisht te të rinjtë.
Edhe pse vitet e fundit, pavarësisht rritjes së numrit të automjeteve dhe shoferëve, numri i aksidenteve dhe i viktimave është ulur, pasojat e tyre për individët, familjet dhe komunitetin mbeten serioze.
Për ta vazhduar këtë trend pozitiv, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për parandalimin e aksidenteve dhe promovimin e sjelljes së përgjegjshme në trafik.
Respektimi i rregullave, përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, përdorimi i rripit të sigurimit dhe shmangia e shpërqendrimeve janë ndër masat më të rëndësishme të sigurisë.
Më poshtë janë disa rekomandime për drejtim dhe pjesëmarrje më të sigurt në trafik gjatë muajve të verës.
Alkooli dhe timoni nuk shkojnë bashkë
Alkooli është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Konsumi i tij ndikon te shoferët në disa mënyra:
▪ dëmton gjykimin dhe rrit vetëbesimin, duke nxitur drejtim më të rrezikshëm ose me shpejtësi më të madhe;
▪ zvogëlon perceptimin dhe përqendrimin, duke bërë që shoferët të mos i vërejnë shenjat ose ndryshimet në trafik;
▪ ngadalëson reagimin ndaj situatave të papritura;
▪ zvogëlon koordinimin dhe aftësitë motorike, duke vështirësuar kontrollin e automjetit.
Edhe një sasi e vogël alkooli, në kombinim me faktorë të tjerë, mund të rrezikojë seriozisht shoferin, pasagjerët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Rripi i sigurimit shpëton jetë
Rripi i sigurimit duhet të përdoret nga të gjithë personat në automjet.
Në rast frenimi të papritur ose aksidenti, ai e mban personin në vend dhe zvogëlon mundësinë e goditjes në pjesët e brendshme të automjetit, të lëndimit të pasagjerëve të tjerë ose të hedhjes jashtë tij.
Në rast përplasjeje, rripi ndihmon edhe në shpërndarjen e forcës së goditjes mbi pjesët më të forta të trupit, duke zvogëluar mundësinë e lëndimeve serioze.
Nëse ka fëmijë në automjet, sigurohuni që ata të jenë të lidhur siç duhet në ndenjëset përkatëse ose në ulësen e pasme, nëse janë më të gjatë se 135 centimetra.
Ndenjësja e fëmijës duhet të jetë e fiksuar mirë dhe e përshtatshme për moshën e tij. Ajo duhet të jetë e kthyer me fytyrë nga prapa të paktën deri në moshën 15 muajshe, ndërsa rekomandohet që ky pozicion të vazhdojë edhe më gjatë, varësisht nga lloji i ndenjëses.
Mos përdorni ndenjëse për fëmijë që kanë qenë të përfshira në aksident ose të cilave u ka kaluar afati i përdorimit.
Blini vetëm ndenjëse nga prodhues të besueshëm dhe përdorini në çdo udhëtim, pavarësisht kohëzgjatjes së tij.
Edhe disa sekonda shpërqendrim mund të jenë fatale
Gjatë verës udhëtimet shpesh zgjasin më shumë dhe vonesat janë të zakonshme. Megjithatë, ndërsa jeni pas timonit, përqendrimi duhet të mbetet te drejtimi i automjetit.
Duhet të shmangen aktivitetet shpërqendruese, si:
▪ përdorimi i telefonit celular;
▪ ngrënia;
▪ rregullimi i muzikës;
▪ futja e vendndodhjes në sistemin GPS;
▪ përdorimi i tepërt edhe i zgjidhjeve „pa duar“ ose kufjeve Bluetooth.
Nëse udhëtimi zgjat, ndaloni, bëni pushim dhe kryeni në qetësi çdo veprim që mund t’ju shpërqendrojë gjatë vozitjes.
Mos u nisni të lodhur
Edhe nëse dëshironi të arrini sa më shpejt në destinacion, nisuni vetëm kur jeni të pushuar mirë.
Shmangni nisjen menjëherë pas punës vetëm për të „kursyer“ kohë dhe mos u përpiqni të përshkoni shumë kilometra pa ndërprerje.
Ndaloni në një zonë pushimi, disa herë nëse është e nevojshme, të paktën pas çdo dy orësh drejtimi. Vazhdoni vetëm kur ndiheni mirë dhe të pushuar ose kur një shofer tjetër mund të marrë përsipër drejtimin.
Mbani gjithashtu lëngje të mjaftueshme në automjet, veçanërisht në rast se ngecni në trafik.
Para udhëtimit kontrolloni automjetin
Veçanërisht para një udhëtimi më të gjatë, kontrolloni gjendjen teknike të automjetit.
Vëmendje duhet t’u kushtohet:
▪ frenave dhe baterisë;
▪ cilësisë dhe nivelit të vajit;
▪ gomave dhe gjendjes së tyre;
▪ kutisë së ndihmës së parë;
▪ trekëndëshit dhe jelekut reflektues.
Kontrolloni edhe motin para nisjes
Para çdo udhëtimi kontrolloni parashikimin e motit dhe paralajmërimet nga Instituti Hidrometeorologjik, në mënyrë që të informoheni me kohë për kushtet e mundshme të pafavorshme atmosferike.
Informacioni i saktë ju mundëson të përshtatni itinerarin, të zgjidhni pajisjet e duhura dhe të rrisni sigurinë.
Në rast stuhie të parashikuar, erërash të forta ose fenomenesh të tjera të rrezikshme, aktivitetet duhet të shtyhen ose të përshtaten me rrethanat.
Ndihma e parë – çfarë duhet të dini
Personi që jep ndihmën e parë ka për detyrë t’i vërë në dispozicion të lënduarit njohuritë dhe aftësitë e tij.
Të gjithë të lënduarit duhet të trajtohen njësoj, pa dallim.
Raportimi për gjendjen e të lënduarit në vendin e ngjarjes duhet të jetë i sinqertë, ndërsa komunikimi me të është shumë i rëndësishëm.
Dhënësi i ndihmës së parë duhet të prezantohet dhe të identifikohet para të lënduarit.
Të dhënat për të lënduarin janë konfidenciale dhe u komunikohen vetëm personelit shëndetësor të urgjencës.
Detyrat e personave që ofrojnë ndihmën e parë
Gjithkush që pret ndihmë nga të tjerët duhet të jetë edhe vetë i aftë t’u ndihmojë të tjerëve.
Kjo vlen si për drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident, ashtu edhe për personat që ndodhen në vendin e ngjarjes në momentin e tij.
Dhënia e ndihmës së parë në aksidente nuk është vetëm detyrë morale, por edhe detyrim ligjor
Çfarë duhet të bëjë drejtuesi i mjetit në rast aksidenti
Drejtuesi i mjetit duhet:
▪ të garantojë sigurinë e qarkullimit rrugor, në mënyrë që të evitohen aksidente të tjera;
▪ të ndërpresë rrymën elektrike të automjetit duke e vendosur çelësin në pozicionin neutral;
▪ të shuajë cigaren e tij apo të personave të tjerë në afërsi të vendit të ngjarjes;
▪ të vendosë trekëndëshin e rrezikut në distancën e caktuar ose të ndezë dritat e emergjencës;
▪ të verifikojë numrin e të lënduarve dhe të bëjë një vlerësim të shpejtë të gjendjes së tyre;
▪ të caktojë prioritetet e dhënies së ndihmës së parë;
▪ të kërkojë menjëherë ndihmë dhe të njoftojë Policinë, zjarrfikësit dhe urgjencën mjekësore, mundësisht me ndihmën e personave të tjerë;
▪ t’ia heqë me kujdes kaskën të lënduarit kur ai është motoçiklist;
▪ ta nxjerrë të lënduarin nga automjeti kur rrezikohet nga tymi ose zjarri, duke përdorur kapjen Rautek.
/Telegrafi/


