Please enter at least 3 characters.

Si u krijua kënga dhe videoja kult “Cry”?

“Makinat po revolucionarizonin mënyrën e incizimit. Na thanë të regjistronim një bazë 20-sekondëshe, një vokal udhëzues – dhe pastaj të shkonim të luanim pingpong!”

Bisedoi: Dave Simpson / The Guardian (titulli: ‘We wanted Torvill and Dean skating in the video!’ How we made Godley & Creme’s Cry)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kevin Godley, këngëtar, tekstshkrues, muzikant

Unë dhe Lol Creme u larguam nga [grupi] 10cc në kulmin e suksesit, sepse ndjenim se gjithçka po bëhej e përsëritur. Kishim prejardhje nga shkolla arti dhe mendonim në aspektin vizual. Qysh atëherë, brenda nesh ishin dy regjisorë që prisnin të dilnin në pah.

Bëmë një video të shkurtër për të promovuar singlin tonë An Englishman in New York dhe menduam se mediumi ishte fantastik. Pasi realizuam videon Fade to Grey për Steve Strange nga [grupi] Visage, njerëz si [grupi] Duran Duran dhe [muzikanti] Herbie Hancock na kërkuan të bënim video për ta.

Ishin në Nju-Jork duke montuar një film koncerti të grupit The Police, kur u takuam me Trevor Hornin në barin e hotelit dhe vendosëm të bënim muzikë së bashku. Kishim një ide për një këngë të quajtur Hit the Box, frymëzuar nga ndërrimi i kanaleve televizive në ShBA, por kuptuam se nuk do të funksiononte në Mbretërinë e Bashkuar, sepse kishte vetëm tri kanale. Pastaj na u kujtua një këngë që kishim nisur ta shkruanim 15 vjet më parë. Kishim vetëm vargun e parë – Ti nuk di si ta lehtësosh dhimbjen time [You don’t know how to ease my pain] – por, Trevorit i pëlqeu.

Ne gjithmonë i kishim bërë vetë gjërat, por Trevori dhe ekipi i tij po revolucionarizonin mënyrën se si realizoheshin albumet. Regjistruam një bazë 20-sekondëshe dhe një vokal udhëzues, dhe na thanë të shkonim të luanim pingpong, ndërsa makineritë e tyre e përpunonin materialin. Kur u kthyem, kishin krijuar një shtresë të mrekullueshme tingujsh. Loli shtoi disa akorde të këndshme dhe mua më thanë: “Vetëm këndo diçka” për të mbushur katër minutat. Teksti ishte rrjedhë e vetëdijes, por e dinim që kishim krijuar diçka të veçantë.

Donim që [dyshja] Torvill dhe Dean [valltarë në akull] të patinonin në video! Por, oraret nuk përputheshin. Kështu që zgjodhëm shumë fytyra nga një libër për ndarje rolesh dhe i xhiruam të gjithë duke kënduar [këngën] Cry. Disa thanë se mund të sinkronizonin buzët, por nuk mundën, megjithatë gjithçka dukej e shkëlqyer në filmin 35-milimetërsh bardhë e zi. Kjo ndodhi përpara se të ekzistonte teknika e shkrirjes së skenave [morphing], ndaj përdorëm të ashtuquajturat “fshirje” [zhdukje] – që lejonin një fytyrë të tretet e të bëhej një tjetër. Një burrë mund të shndërrohej në një grua, ose një panker në një të moshuar – duke krijuar një entitet që nuk kishte ekzistuar më parë. Ishte diçka magjike. Sigurisht, fytyrat e mia dhe të Lolit janë pjesë e videos. “Plani B” përfundoi [më 1985] duke u bërë një nga videot më të përfolura të viteve ’80 [të shekullit XX]. Vite më vonë, grupi Elbow më kërkoi të rikrijoja videon Cry për këngën e tyre Gentle Storm. Guy Garvey tha se, kur ishte fëmijë, kjo video kishte qenë një “ngjarje sizmike” për të.

Trevor Horn, producent

Isha në Nju-Jork, duke u përpjekur të bëja albumin për [grupin] Foreigner, kur Thereza Bazar nga [dyshja] Dollar më telefonoi për të më thënë se po rrinte me Godley & Creme në barin e hotelit “Meridien”, dhe më pyeti nëse doja të shkoja atje. Njëri nga teknikët e grupit Foreigner po përpiqej të më bindte të dëgjoja [grupin] ZZ Top, duke më shtyrë të tymosja një barishte shumë të fortë që quhej “Thunderfuck”, kështu që isha goxha i hutuar. Kevini dhe Loli më thanë: “Mos u shqetëso, edhe ne jemi njësoj.”

Nisëm të rrinim shpesh bashkë dhe një natë fillova të luaja me butonin e televizorit në dhomën e hotelit, në mënyrë ritmike, si një lloj “zhurme”, dhe kjo ishte zanafilla e Hit the Box. Kisha studion e përgatitur për Foreigner, kështu që atë fundjavë e përdorëm për të regjistruar këngën e Godley & Creme. Por, të hënën në mëngjes, Foreigner më thanë: “Na kanë thënë që erdhe në studio fundjavën që shkoi dhe dëgjuam çfarë bëre. Është tmerrësisht e keqe.” U zemëruan aq shumë me mua, saqë i propozova Kevinit dhe Lolit që ta lëmë projektin mënjanë dhe të rikthehemi në Angli.

Deri atëherë kisha bërë një mori singlash 12-inçësh dhe po lodhesha me tingujt elektronikë abstraktë, kështu që u thashë: “A nuk e keni thjesht ndonjë këngë të bukur?” Kjo i bëri për të qeshur – “Një ‘këngë të bukur’?!” Kevini dhe Loli asokohe ishin si një dyshe humori, por morën një kitarë dhe më luajtën Cry.

Ishim në studion “Surrey Sound” me Nigel Graynin, një inxhinier/producent i shkëlqyer që i jepte tingull kaq të mirë kitarës së Andy Summersit në regjistrimet e [grupit] The Police. Nigel i gjeti Lolit një tingull të mrekullueshëm kitarash. Kevin gjithmonë ka pasur një zë të bukur. JJ Jeczalik nga Art of Noise bëri bazën ritmike dhe Steve Lipson ishte inxhinieri i regjistrimit. Përdorëm sintetizatorët “Fairlight” dhe “Synclavier”.

E gjithë puna u krye shumë shpejt dhe m’u duk se doli shumë mirë. Pasi e sheh videon, nuk mund ta dëgjosh më këngën pa e vizualizuar atë.

Në vitin 2017, grupi im e interpretoi këngën Cry në një festival [Fairport's Cropredy Convention], me një këngëtar të quajtur Jamie Squire. Mendova me vete: “Zot, kjo këngë tingëllon vërtet shumë mirë.” Që atëherë është pjesë e përhershme e repertorit tonë. /Telegrafi/