Please enter at least 3 characters.

Si t’i çelni flokët pa shpenzuar shumë: Truku i thjeshtë që pak kush e di

Një përbërës që gjendet pothuajse në çdo shtëpi mund të ndihmojë në freskimin e ngjyrës, por duhet përdorur me masë dhe kujdes

Soda bikarbone mund të ndihmojë në largimin e mbetjeve të produkteve dhe gjurmëve të bojës së vjetër, por duhet përdorur me kujdes, sepse mund t’i thajë flokët

Në momentet kur dëshironi një ndryshim të vogël, shpesh gjëja e parë që shikoni janë flokët. Ndoshta ju është mërzitur ngjyra, ndoshta dëshironi t’i zbusni gjurmët e bojës së vjetër ose thjesht t’i jepni nuancës natyrale një ton më të çelët, pa shkuar te frizeri. Pikërisht atëherë, zgjidhja që gjatë gjithë kohës e keni pasur pranë mund t’ju befasojë.

Bëhet fjalë për një përbërës që pothuajse çdo shtëpi e ka: sodën bikarbone. Edhe pse njihet për përdorimin e saj të gjerë në pastrim dhe kujdes, pak kush e di se ajo mund të ketë edhe efekt në çeljen e flokëve. Megjithatë, si te shumë truke shtëpiake, është e rëndësishme të dini kur dhe si ta përdorni.

Pse përdoret soda bikarbone për flokë

Soda bikarbone ka veti të forta pastruese, prandaj shpesh përdoret për largimin e papastërtive dhe shtresimeve nga sipërfaqe të ndryshme. Kur bëhet fjalë për flokët, ajo mund të largojë mbetjet e produkteve, tepricën e yndyrës dhe madje pjesë të bojës së vjetër që kanë mbetur në fije.

Pikërisht për këtë arsye, pas trajtimit flokët mund të duken më të çelët dhe më të "pastër", pa shtresën e rëndë që i ngarkon. Ky efekt vërehet sidomos te ata që përdorin shpesh llak, shkumë ose shampon të thatë.

Megjithatë, është e rëndësishme të mbahet parasysh se, për shkak të alkalinitetit të saj, soda bikarbone mund t’i thajë flokët dhe t’i bëjë më të prirë për t’u këputur, prandaj nuk është ideale për të gjithë, transmeton Telegrafi.

Kur duhet pasur kujdes

Nëse flokët tuaj tashmë janë të thatë, të dëmtuar ose të trajtuar kimikisht, kjo metodë mund të mos jetë zgjedhja më e mirë. Ndryshe nga produktet klasike për kujdesin e flokëve, soda bikarbone nuk përmban përbërës hidratues, që do të thotë se mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e fijes së flokut.

Nëse megjithatë vendosni ta provoni, është e rëndësishme që trajtimi të mos përsëritet shpesh dhe që pas tij të përdorni patjetër një maskë ushqyese ose balsam.

Ekzistojnë dy mënyra më të zakonshme për përdorimin e sodës bikarbone në flokë, varësisht nga efekti që dëshironi të arrini.

Soda bikarbone dhe uji: varianti më i butë

Kjo metodë është më e thjeshtë dhe më e butë për flokët.

Përbërësit

– 1 lugë gjelle sodë bikarbone
– pak ujë

Përgatitja dhe përdorimi

Përziejini përbërësit derisa të fitoni një masë me dendësi mesatare. Vendoseni në flokë me lëvizje të lehta, pa fërkim të ashpër. Lëreni të veprojë rreth 20 minuta, pastaj shpëlajeni me ujë të vakët.

Ky trajtim mund të ndihmojë në largimin e shtresimeve dhe në çeljen e lehtë të flokëve.

Soda bikarbone dhe hidrogjeni: efekt më i fortë

Ky kombinim jep rezultat më të dukshëm, por kërkon kujdes shtesë.

Përbërësit

– 2 lugë çaji sodë bikarbone
– 1.5 lugë çaji hidrogjen, peroksid hidrogjeni

Përgatitja dhe përdorimi

Përziejini përbërësit derisa të fitoni një pastë. Vendoseni në mënyrë të njëtrajtshme në flokë. Nëse keni flokë më të errët, lëreni të veprojë rreth një orë, ndërsa për nuancat më të çelëta mjaftojnë rreth 30 minuta. Më pas, shpëlajeni me ujë të ftohtë.

Edhe truket natyrale kërkojnë masë

Edhe pse soda bikarbone mund të jetë ndihmëse kur dëshironi t’i çelni flokët ose të largoni mbetjet e bojës, është e rëndësishme t’i qaseni me kujdes. Ajo nuk është zgjidhje universale dhe nuk i përshtatet çdo tipi flokësh.

Nëse i njihni kufijtë dhe i dëgjoni nevojat e flokëve tuaj, ky trik i thjeshtë mund t’ju ndihmojë ta freskoni pamjen pa shpenzime të mëdha. Ndonjëherë, pikërisht te gjërat e vogla dhe të arritshme gjendet përgjigjja për ndryshimin që kërkoni. /Telegrafi/