Si ta kuptoni që bateria e veturës po dobësohet?
Problemet me akumulatorët e makinave janë ndër ndërhyrjet më të shpeshta të mekanikëve. Ciklet e vazhdueshme të karikimit dhe shkarkimit, si dhe vjetërsia e automjetit dhe e vetë akumulatorit, me kalimin e kohës mund të shkaktojnë defekte.
Një kontroll i thjeshtë mund të bëhet pa pajisje speciale. Parkojeni makinën në një vend të errët, përballë një muri, fikeni motorin dhe ndizni dritat e shkurtra. Nëse pas një kohe të shkurtër drita fillon të zbehet, kjo është shenjë se akumulatori po humbet fuqinë dhe mund të jetë afër fundit të jetëgjatësisë së tij.
Një kontroll më i saktë mund të bëhet me voltmetër, por kjo pajisje nuk gjendet në çdo shtëpi. Për këtë arsye, testi me dritat është një mënyrë e shpejtë që shoferët mund ta përdorin vetë për të dalluar problemet e mundshme.
Shenja të tjera që tregojnë një akumulator të dobësuar janë ndezja e vështirë e motorit, rrotullimi i ngadalshëm i starterit, dobësimi i dritave dhe probleme të herëpashershme me pajisjet elektrike të makinës.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që shoferët të kontrollojnë nëse dritat janë fikur pas parkimit dhe nëse dyert janë mbyllur siç duhet, pasi edhe një dritë e brendshme e harruar ndezur mund ta shkarkojë akumulatorin.
Një kontroll i vogël para udhëtimit mund të shmangë situata të pakëndshme, sidomos kur makina nuk ndizet në momentin kur ju duhet më së shumti. /Telegrafi/


