Shpërthim dhe zjarr në një fabrikë të madhe municionesh pranë Romës
Një shpërthim i fuqishëm i shoqëruar me zjarr ka goditur të enjten një fabrikë të madhe municionesh në Koleferro, në jug të Romës, duke shkaktuar alarm të madh në zonë.
Ngjarja ka ndodhur në ish-fabrikën Simmel Difesa, e cila aktualisht është në pronësi të kompanisë KNDS Ammo Italy.
Kompania është e specializuar në prodhimin e municioneve të kalibrave të mesëm dhe të mëdhenj për mbrojtjen tokësore dhe detare, si dhe të lëndëve djegëse të ngurta për raketat hapësinore.
Sipas raportimeve fillestare, shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në repartin ku kryhet presimi i barutit, shkruan ansa.
Në vendngjarje janë dërguar disa ekipe zjarrfikëse, të cilat po përpiqen të vlerësojnë situatën dhe të ndërhyjnë për shuarjen e zjarrit.
Deri më tani, ekipet nuk kanë mundur të hyjnë në zonën e prekur për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.
Nuk janë bërë ende të ditura të dhëna për viktima apo persona të lënduar. Autoritetet pritet të japin më shumë informacion për shkaqet e shpërthimit dhe pasojat e tij. /Telegrafi/


