Shpend Ahmeti lavdon tre kandidatë që humbën sot në garë
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar sot pas përfundimit të procesit zgjedhor në vend përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke komentuar jo vetëm fituesit, por edhe kandidatët që pësuan humbje në balotazh.
Ahmeti ka theksuar se nuk ka më lehtë se të sulmosh humbësin me komente cinike, dhe për këtë arsye ka zgjedhur të lavdërojë tre kandidatë që u sfiduan në gara të vështira me fokus nacional: Hajrullah Çeku, Arian Tahiri dhe Xhafer Gashi, duke përgëzuar gjithashtu edhe të tjerët.
Në postimin e tij, Ahmeti shkruan:
“Nuk ka më lehtë se me e godit humbësin sonte me komente cinike.
Prandaj përveç urimeve për fituesit, sonte përgëzimet shkojnë edhe për ata që u sfiduan në gara të vështira e në fokus nacional.
Në mesin e tyre po i përmend Hajrullah Çekun, Arian Tahirin a Xhafer Gashin, pa i harruar të tjerët. Përgëzime për garat e mos i konsideroni humbje. Megjithatë, qytetarët ju dhanë besim të madh.”


