Shkup, shpërndahen protestuesit, gjendja e tensionuar (Foto/Video)
Policia ka qëndruar në vendin e ngjarjes me përforcime shtesë të njësiteve speciale. Gazi lotsjellës ka arritur që të shpërndajë protestuesit dhe se të gjitha rrugët janë zhbllokuar dhe ka nisur normalizimi i situatës.
MPB pritet të informojë me detaje të tjera mbi ngjarjen, duke paralajmëruar se janë arrestuar disa protestues të rinj dhe se po ndërmerren masa për pastrimin e terrenit nga dëmet e shkaktuara nga protestat dhe eskalimi i tyre që u shoqërua me dhunë, demolime dhe incidente. Ndërkohë në këtë zonë nuk ka lëvizje të lirë dhe se po mbretëron situatë e tensionuar.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski ka deklaruar për MIA se disa persona janë arrestuar, dhe se priten edhe ndalime të tjera nga protestuesit, kryesisht të rinj.
“Gjatë dhunës dhe protestave janë lënduar dy policë, janë dëmtuar dy makina policie, si dhe disa shenja komunikacioni dhe stacione urbane të autobusëve. Por, dëmi më i madh i është shkaktuar makinave private dhe objekteve. Janë demoluar makina private”, ka theksuar Kotevski, duke shtuar se policia akoma është në terren. /Telegrafi/
-----------------------------------------
Turma e protestuesve po qëndron në udhëkryqin që lidh Bit Pazarin me lagjen Çair të Shkupit, ndërsa në afërsi të tyre janë të pranishme edhe forca të mëdha policore.
Njësitet speciale janë grumbulluar në këtë pjesë të qytetit të banuar me shumicë shqiptare për të shpërndarë turmat protestuese. Siç mësohet nga gazetari i agjencisë INA, në këtë zonë i është vënë flaka edhe një autobusi urban, me ç’rast tërë zona është mbuluar nga tymi.
Ardhja e zjarrfikësve është penguar nga protestuesit, me ç’rast ata janë tërhequr për momentin për shkaqe sigurie.
Zona ku janë protestuesit është mbuluar edhe nga gazi lotsjellës i shpërndarë nga policia speciale. /Telegrafi/
--------------------------------------------
Të rinj shqiptarë u ngritën sot në një protestë masive kundër dhunës së këtyre ditëve ndaj fëmijëve shqiptarë. Protesta, edhe pse nisi si marshim paqësor, u nxit më shumë nga prania e gjerë e forcave policore, e cila nuk ishte e njëjtë me atë kur ndaj të rinjve shqiptar u ushtrua dhunë.
Forcat policore përdorën kordonë policie për të siguruar që protestuesit të mos depërtonin në qendër, ndërkohë që përmes përplasjeve përcollën protestuesit deri në afërsi të Bit Pazarit.
Ende mbetet i paqartë numri i të plagosurve, si nga protestuesit ashtu edhe nga vetë policët.
Protestuesit thanë se ndihen të shqetësuar nga gjithë kjo situatë, pasi siç thonë ata, nuk ndihen më të sigurt të dalin nga shtëpitë e tyre, sidomos fëmijët, shkruan Alsat-M.
Në momentin kur turma vendosi të shpërndahej, sapo kaluan urën “Goce Delceev” për t’u kthyer në Çarshi, protestuesit iu kundërpërgjigjën pranisë së shtuar policore, e cila ngriti kordonë shoqërues, në mënyrë që të ndalohej marshimi drejt qendrës së qytetit. Nga sulmi u thyen disa vetura, vendqëndrimet e autobusëve, ndërkohë që policia iu kundërpërgjigj me dhunë: që nga gazi lotsjellës, krisma armësh, si dhe rrahje të protestuesve.
Po ashtu, nga shtizat janë hequr dy flamuj maqedonas.
Përmes numrit të madh policor dhe gazit lotsjellës, forcat policore shtynë përmes përleshjeve protestuesit deri në afërsi të Bit Pazarit. Kamera e Alsat-M arriti të filmonte protestues të lënduar, por edhe police të goditur. /Telegrafi/
Disa mijëra shqiptarë kanë dalë për të protestuar kundër dhunës që është ushtruar një ditë më parë ndaj shqiptarëve pas protestës së organizuar nga ish forcat e sigurisë maqedonase “Dinjiteti”.
Protesta që është organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ka nisur në orën 12:30 prej qendrës tregtare ”Çairçanja” dhe duke kaluar nëpër Bit Pazar për të vazhduar para Qeverisë së Maqedonisë, njofton korrespodentja e Radios Evropa e Lirë në Shkup.
Një pjesë e protestuesve ka tentuar të dilte nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, me ç’rast është përleshur me forcat policore.
Protesta thuhet se ka dalë jashtë kontrollit, kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të gjuajnë mbi objektet bri rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”.
Me këtë rast, forcat e sigurisë kanë shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur dhe autoblinda, të cilët kanë zmbrapsur protestuesit. Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit, që hidhnin gurë dhe mjete të forta drejt policisë.
Ndryshe, Hazret Jakupi, një nga organizatorët ka deklaruar se protesta nuk është e drejtuar kundër askujt, por shpreh dhimbjen dhe indinjatën për rrahjen e fëmijëve shqiptarë.
“Ne nuk duam incidente, duam paqe. Mjaft ishte rrahja e fëmijëve shqiptarë”, ka deklaruar Jakupi. /Telegrafi/
Shoqata maqedonase “Dinjiteti” që tubon veteranët maqedonas të konfliktit të vitit 2001, edhe për sot ka paralajmëruar protestë para Parlamentit të Maqedonisë, në shenjë proteste kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit, ish-komandantit të UÇK-së, për ministër të Mbrojtjes të Maqedonisë.
Kryetari i kësaj shoqate, Stojance Angelov, ka theksuar se protesta do të jetë paqësore dhe se ai nuk mban përgjegjësi për dhunën e djeshme dhe huliganizmin ndaj shqiptarëve. Angelov ka theksuar se nuk ka qenë organizator i kësaj proteste.
“Dinjiteti” informoi se prej sot do të nis me grumbullimin e nënshkrimeve për nxitjen e një nisme për referendum për ndërrimin e ministrit Xhaferi, shkruan INA.
Po ashtu, në Shkup është paralajmëruar protestë e shqiptarëve kundër dhunës dhe provokimeve të maqedonasve.
Protesta mban mesazhin "Të protestojmë me flamuj kombëtar", ndërsa ajo është thirrur përmes rrjeteve sociale.
“Provokimet që bëjnë sllavët kundër fëmijëve, grave, pleqve shqiptarë janë të rënda! Këto provokime tejkalojnë çdo logjikë të shëndoshë njerëzore për të gëlltitur dhe të heshtet sikur nuk ka ndodhur asgjë! Partitë tona politike, si ajo në pozitë si ato në opozitë, më së paku kanë të drejtë të flasin për ngjarjet pa dhënë propozime konkrete rreth ngjarjeve monstuoze sllave! Sot, 02.03.2013 protestohet kundër dhunës para Qeverisë. Dilni masovikisht. Le të sheh Evropa se asnjë marrëveshje brenda sllave nuk ka peshë pa u rregulluar statusi juridiko kushtetues i shqiptarëve në atë vend”, thuhet në porosinë e shkruar dhe shpërndarë në forumet e ndryshme të internetit dhe rrjetin social Facebook. /Telegrafi/
Pas sulmeve brutale të huliganëve të organizuar maqedonas kundër shqiptarëve, mbrëmë në Shkup mbrëmë ka mbretëruar një situatë e tensionuar dhe e frikshme.
Gjithçka filloi pas protestës së dhunshme para Qeverisë, kundër emërimit të ministrit të ri të Mbrojtjes, Talat Xhaferi, për shkak të kaluarës së tij si komandant i UÇK-së.
Protestuesit, pas përleshjes me policinë para Qeverisë, kanë nisur sulmin brutal ndaj qytetarëve shqiptarë në pjesën qendrore të Shkupit. Më pas sulmet kanë vijuar edhe në lagje tjera.
Dhjetëra dëshmitarë kanë rrëfyer tmerrin që kanë përjetuar nga huliganët e maskuar maqedonas, që ushtronin dhunë edhe para syve të policisë.
“Kanë rrahur fëmijë, gra shqiptare dhe pleq... në mënyrë barbare. Kjo është e patolerueshme: të rrihet një qytetar i lirë i këtij vendi. Kështu si na trajtojnë, a thua edhe ne t`ua kthejmë me të njëjtën mënyrë. Apeloj që të ndërmerren masa, përndryshe do të mund të eskalojë situata”, theksoi INA Blerim M., student shqiptar në Shkup.
Njësitet speciale kanë vazhduar të qëndrojnë në disa akse rrugore dhe në pjesën qendrore të Shkupit. Mirëpo, siç mësohet, huliganët e organizuar maqedonas kanë qëndruar mbrëmë kryesisht në lagjet e pastra etnike të Shkupit, si Aerodrom, George Petrov, Kisela Vodë, Draçevë etj.
Ndryshe, përmes rrjetave sociale njoftohet se sot do të ketë protesta të shqiptarëve në Shkup. Protesta do të bahet pas orës 13:00, dhe do të nisë nga lagjja Çair. Protestuesit, sipas paralajmërimeve, do të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë. Në një postim në rrjetin social Facebook thuhet: “Protestë... më 02.03.2012, pas Namazit të Drekës në Xhaminë Jaja Pasha”. /Telegrafi/
E plotësuar - Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar sonte në Shkup, për kapjen e personave që kanë marr pjesë në protestat e dhunshme para qeverisë dhe rrahjes së disa shqiptarëve.
Sipas policisë, aksioni është ndërmarrë pasi që janë siguruar disa informacione për pjesëmarrësit e protestës të së premtes, ku në shënjestër të protestuesve ishin pjesëtarë të policisë, si dhe shqiptarë - kalimtarë të rastit.
Mediat në gjuhën maqedonase citojnë zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski, të ketë thënë se deri më tani janë arrestuar disa persona, ndërsa pritet të arrestohen edhe disa të tjerë.
Protesta ishte organizuar nga disa veteranë maqedonas të luftës së vitit 2001, në shenjë proteste për emërimin ministër të Mbrojtjes, Talat Xhaferi - kuadër i partisë shqiptare në pushtet, BDI, dhe pjesëmarrës i luftës.
Lidhur me incidentet e dhunshme kanë reaguar edhe partitë shqiptare, të cilët e kanë dënuar rrahjen e shqiptarëve nga ana e protestuesve maqedonas.
Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje të Euro-integrimeve, Fatmir Besimi (BDI), incidentet e këtij lloji janë ato të cilat më së paku i duhen Maqedonisë.
Ndërsa, sipas deputetit të PDSH-së opozitare, Bekim Fazliu, në Maqedoni, huliganët, kriminelët dhe Qeveria VMRO DPMNE - BDI janë bashkuar dhe janë bërë një në ushtrimin e dhunës ndaj shqiptarëve.
Ndryshe, përmes rrjetave sociale njoftohet se nesër do të ketë protesta të shqiptarëve në Shkup. Protesta do të bahet pas orës 13:00, dhe do të nisë nga lagjja Çair. Protestuesit, sipas paralajmërimeve, do të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë. /Telegrafi/
Në foto shihen pamje të huliganëve që sulmojnë të rinj shqiptarë në sheshin "Maqedonia", në afërsi të urës së Gurit në Shkup, si dhe një polic i përgjakur në fytyrë, shkruan INA.
Protesta dhe dhuna ka shpërthyer menjëherë pas protestës së organizuar para Qeverisë së Maqedonisë, në shenjë proteste kundër emërimit të Talat Xhaferit, të njohur si ish-komandant Forina i UÇK-së, në postin e ministrit të Mbrojtjes të Maqedonisë.
Të përkujtojmë se edhe dje, rreth orës 12:30, dhjetëra nxënës shqiptarë të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” janë sulmuar nga persona të panjohur.
Sipas fëmijëve, dhunuesit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur me mjete të forta, që nga thikat e sende të tjera të forta, shkruante express.mk.
Tre prej nxënësve shqiptarë janë të lënduar rëndë, dhe dërguar për kurim në spitalin e qytetit.
Sipas informatave paraprake që siguroi Alsat-M, menjëherë pas sulmit të djeshëm, qëndrojnë anëtarët e grupit të tifozëve “Femili Aerodrom” që janë shoqërues të klubit të basketbollit MZT.
/Telegrafi/
Në një protestë të paralajmëruar nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, qindra të rinj nga grupe të ndryshme tifozësh dolën sot në rrugë.
Thirrjet e tyre kundër emërimit të Talat Xhaferrit në postin e ministrit të Mbrojtjes, degraduan në sulme kundër shqiptarëve.
Huliganët maqedonas kanë djegur edhe flamurin shqiptar. /Telegrafi/
Në Spitalin e Qytetit në Shkup janë pranuar pesë qytetarë shqiptar me lëndime të rënda trupore. Dy prej tyre, në gjendje më të rëndë, gjenden në kurim intensiv. Njëri prej të lënduarve, duke përshkruar ngjarjen, thotë se huliganët maqedonas, në grup prej 100 deri 200 personash, kanë sulmuar nëpër qytet, stacione autobusësh dhe kudo që kanë takuar shqiptarë.
“Kemi qenë në stacionin e autobusëve në rrugën ‘Jugodrvo’. Përnjëherë, më shumë se 100-200 vetë kanë qenë dhe kanë goditur nga kanë mundur. Kjo nuk është në rregull. Del ashtu siç duhet, nuk kthehesh normal”, thotë njëri prej të lënduarve për Alsat-M.
Dy prej të lënduarve janë nga Komuna e Haraçinës. Për këtë shkak kryetari i kësaj komune edhe sot vizitoi Spitalin e Qytetit për tu informuar nga afër me gjendjen e viktimave. Ai paralajmëron se nëse vazhdojnë incidentet e tilla, situate mund të eskalojë.
“Këto duhet të ndërpriten. Këta huliganë që bëjnë këto vepra, rrahin fëmijë, nxënës... kjo nuk çon në të mirë. Siç duket, situata mund të eskalojë edhe në një krizë më të madhe. Kisha apeluar, deri te organet përkatëse, që njëherë e përgjithmonë të marrin fund këto ngjarje”, tha Bastri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës. /Telegrafi/
Ramazan Iseni, 13 vjeçar, është njëri nga fëmijët e sulmuar nga huliganët maqedonas në Shkup. Ai ka pësuar lëndime në kokë.
Huliganët maqedonas brutalisht kanë rrahur shumë të rinj shqiptarë, në afërsi të një stacioni urban të autobusëve, në Shkup. Në këtë incident të dhunshëm kanë pësuar nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët janë goditur me gjësende të forta dhe grushte, informon INA.
“Na kanë rrahur, pa kursyer as fëmijë e gratë që ishin duke pritur aty autobusin”, ka theksuar Ramazani, i cili ka kërkuar ndihmën mjekësore për lëndimet e pësuara në këtë incident.
Nxënësit theksojnë se kanë shpëtuar falë shoferit të autobusit urban, i cili është shqiptarë dhe ka arritur që të mbyll me shpejtësi dyert e të largohet nga stacioni.
“Ai na shpëtoi duke mbyllur dyert, mirëpo huliganët kanë gjuajtur me gurë dhe me shishe autobusin, duke rrezikuar jetët tona. Ne kemi parë edhe policë të uniformuar, por që kanë hezituar për të reaguar dhe për të larguar huliganët e tërbuar. Këto incidente më nuk tolerohen. Ose të veprojnë ose s’ka hapësirë për të toleruar këto tërbime kundër nesh shqiptarëve”, ka theksuar një nxënës shqiptar i shkollës “Zef Lush Marku”, i cili gjithashtu ka përjetuar sulmin brutal të huliganëve maqedonas.
Huliganët kanë qarkulluar nëpër disa akse rrugore dhe lagje, ku janë stacionet e autobusëve dhe ku dihet se udhëtojnë edhe një pjesë e udhëtarëve shqiptarë për lagjet periferike të Shkupit, si Saraj, Karshiakë dhe Hasanbeg e Haraçinë.
Një protestë e shoqëruar me dhunë u zhvillua sot pasdite para Qeverisë në Shkup, në shenjë proteste kundër emërimit të Talat Xhaferit, ish-komandant Forinës së UÇK-së për ministër të Mbrojtjes të Maqedonisë. INA ka raportuar se grupet e maqedonasve, me maska, pas shpërndarjes nga protesta para Qeverisë, kanë sulmuar shumë qytetarë shqiptarë në disa pjesë të Shkupit.
“Në shënjestër kanë qenë shqiptarët, duke mos zgjedhur edhe gra shqiptare dhe nxënës të shkollave, pranë disa stacioneve të autobusëve”, thekson për INA, një dëshmitar okular i këtij incidenti, i cili ka arritur që t’i shmanget.
Organizatore e protestës ishte shoqata e veteranëve maqedonas të konfliktit të vitit 2001, e ashtuquajtura “Dinjiteti”, e cila është pjesë e opozitës. /Telegrafi/


