Please enter at least 3 characters.

"Shije tradhëtie", kënga me të cilën Soni Malaj konkurron në "Kënga Magjike 2019"

2019/11/SONI-MALAJ-600x360.jpg

Dje (e diel), këngëtarja e mirënjohur Soni Malaj ka prezantuar baladën e saj të re "Shije tradhëtie", gjatë rubrikës “Kënga Magjike” tek “E diela Shqiptare”.

Kënga mban këtë titull pasi flet për një djalë që tradhëton e më pas kërkon falje.

Teksti është shkruar nga Ilir Berani, bashkëshorti i këngëtares Gili, kurse orkestrimin e ka realizuar Shpëtim Saraçi dhe për herë të parë në një festival shqiptar muzike, Saraçi bashkëpunon me të birin, Drinin.

Soni Malaj (Foto: YouTube)

Në ndërkohë, këtë këngë Soni e masterizoi në Itali me një prej më të mirëve, muzikantin Marco Borsati.

Këngëtarja Malaj është rikthyer në garë pas tri viteve, meqë "Për vete më mbaj" ishte projekti i fundit me të cilin ka konkurruar.

Kujtojmë që festivali muzikor “Kënga Magjike” këtë vit vjen me një sërë ndryshimesh, ku kësaj radhe do ketë risi edhe në sistemin e votimeve.

Artistët do vazhdojnë të kenë votën e hapur dhe maksimumi i pikëve që mund ti japin janë 30. Pjesë e votimeve do jetë edhe juria të cilët tanimë janë konfirmuar dhe kanë në dispozicion për vendin e parë 150 pikë.

Nga ana tjetër, vitin e kaluar, çmimin kryesor të festivalit e fitoi Flori Mumajesi, ndërsa konkurrentë më të afërt për çmimin kryesor ishin Aurela Gaçe me Eli Farën që u renditën në vend të dytë, si edhe Fifi dhe MC Kresha që zunë vendin e tretë. /Telegrafi/