Sherri për një femër: 28-vjeçari plagos dy persona në Vlorë
Mbrëmjen e kaluar, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë në Vlorë, është arrestuar në flagrancë për “Vrasje me dashje e mbetur ne tentativë”, 28 vjeçari Kastriot Ramazani, banues në Peqin.
Gjithçka ka ndodhur në lagjen “24 Maji”m kur 28-vjecari ka shkuar dhe i ka kërkuar llogari dy personave më të cilët kishte dhe lidhje krushqie se për çfarë arsye i kishin ngacmuar bashkëshorten, transmeton BW. Dy personat me inicialet S.V. dhe Sh.D. e kanë mohuar një fakt të tillë duke thënë se askush nuk e ka ngacmuar bashkëshorten dhe se nuk ishte mirë që t’i akuzonte pasi ishin në rrethana miqësore. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të bindur të riun nga Peqini.
Në debat e sipër ai ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur personin me inicialet S.V. të cilin e ka plagosur rëndë, dhe Sh.D. të cilin e ka plagosur më lehtë. Pasi ka goditur të dy personat ai është larguar me automjet në drejtim të daljes së Vlorës, me qëllim për të dalë nga qyteti, por pikërisht këtu ka hasur në rezistencën e efektivëve të policisë të cilët menjëherë pas ngjarjes kanë ngritur një postbllok.
Pas arrestimit 28-vjeçari ka deklaruar para policisë se i është dashur të vetëmbrohej, pasi kanë qenë dy të plagosurit të cilët e kanë provokuar si dhe i kishin ngacmuar bashkëshorten, gjë e cila shkaktoi dhe zemërimin e tij. /Telegrafi/


