Shembull, Hajvalia
Përkundrazi, klubi prishtinas ende pa e kryer garën e sivjetme ka nisur të mendojë për edicionin e ardhshëm, duke angazhuar trajner të ri, duke nisur të bëjë përforcime e po ashtu ta fillojë procesin e vazhdimit të kontratave me disa futbollistë kualitativë. Në këtë mënyrë, klubi kuqebardhë po paralajmëron se edhe në edicionin e ardhshëm do të fillojë me ambicie të mëdha.
Për më tepër, analistët thonë se ky veprim i Hajvalisë duhet të merret si shembull edhe nga klubet tjera të Superligës, shumica prej të cilave, posa përfundon një kampionat, “flenë” me muaj dhe edicioni i ri i zë në gjumë.
“Sigurisht, që kjo që po e bën Hajvalia është diçka e mirë, pasi herët po mendojnë për një periudhë më të gjatë kohore. Në Evropë, edhe pse klubet kanë kontrata edhe për nga dy vjet me lojtarë, i nisin bisedimet me ta për t’i vazhduar ato”, thotë për “Zërin” Arsim Plepolli.
“Nuk duhet të pritet nata e fundit e afatit kalimtar, siç bëjnë zakonisht klubet tona, kur munden edhe më herët”, thekson ai.
Sipas tij, klubet kosovare duhet të jenë më efikase në vetëmenaxhim. Pa menaxhim të mirë, Plepolli thotë se nuk mund të priten suksese të dëshiruara.
“Menaxhimi i mirë i klubit është sukses i klubit. Pa menaxhim të mirë nuk mund të ketë sukses”, potencoi ai.
Në Kosovë, përpos dy-tri klubeve të tjerat, janë shumë pasive në organizim. Ka shumë raste kur edhe klubet kampione pas pak kohësh që stoliset me trofe, e merr tatëpjetën.


